• e diel, 19 janar 2025

Pengjet izraelite do të shkëmbehen për 1,904 të burgosur palestinezë

Pengjet izraelite do të shkëmbehen për 1,904 të burgosur palestinezë

Tel Aviv, 18 janar 2025 (MIA) - Gjithsej 1.904 palestinezë duhet të lirohen nga burgjet dhe kampet izraelite gjatë armëpushimit të rënë dakord midis Izraelit dhe Hamasit, njoftoi sot qeveria izraelite.

Në këmbim, Hamasi do të lirojë 33 nga 98 pengjet izraelite gjatë një pauze gjashtë-javore të luftimeve, që fillon të dielën në mëngjes, transmeton DPA.

Sipas qeverisë izraelite, në mesin e palestinezëve të arrestuar janë 1,167 banorë të Rripit të Gazës, të cilët nuk ishin të përfshirë në sulmin e 7 tetorit 2023 ndaj Izraelit nga Hamasi.

Ata kryesisht konsiderohen luftëtarë të Hamasit që u kapën gjatë luftimeve 15-mujore në Rripin e Gazës.

737 palestinezët e mbetur që duhet të lirohen janë burgosur për shkelje të vogla, si gjuajtja e gurëve në Bregun Perëndimor ose kalimi i paligjshëm i kufirit, mbajtja pa leje e armëve ose shkelje të tjera.

Megjithatë, ky grup përfshin edhe palestinezë që vuajnë dënime për krime të rënda si vrasje. Sipas një liste të publikuar nga Ministria izraelite e Drejtësisë, 22 të burgosur që do të lirohen akuzohen për sulme të rënda ndaj izraelitëve.

Kjo përfshin individë si Zakaria Zubeidi, i cili ishte komandanti i krahut të armatosur të lëvizjes Fatah, Brigadave Al-Aksa, në Xhenin gjatë Intifadës së dytë të vitit 2000.

Rreth 3,500 palestinezë dhe më shumë se 1,000 izraelitë u vranë gjatë kryengritjes nga viti 2000 deri në 2005.

Në listën e të burgosurve që duhet të lirohen është edhe Mahmud Atallah, i cili po vuan një dënim të përjetshëm për vrasjen e një gruaje palestineze të akuzuar për bashkëpunim me Izraelin, si dhe Vael Kasam dhe Visam Abasi, të cilët dyshohet se kanë marrë pjesë në bombardime në Izrael.

Megjithatë, i burgosuri më i shquar palestinez në Izrael, Marvan Barguti i udhëheqjes së Fatahut, nuk do të lirohet. Ai u dënua me burgim të përjetshëm në vitin 2004 për pesë vrasje.

Armëpushimi në Rripin e Gazës, i rënë dakord nga Izraeli dhe lëvizja islamike palestineze Hamas, do të hyjë në fuqi të dielën në mëngjes në orën 08:30 me orën lokale, ndërsa gjatë ditës së nesërme pritet të lirohen ede grupet e para të pengjeve izraelitë dhe të burgosurve palestinezë. ls/

Foto: EPA

 

QËNDRONI TË LIDHUR