• e shtunë, 22 shkurt 2025

Trampi thotë se së shpejti mund të takohet me Putinin në lidhje me Ukrainën

Trampi thotë se së shpejti mund të takohet me Putinin në lidhje me Ukrainën

Uashington, 17 shkurt 2025 (MIA) - Presidenti amerikan Donald Tramp deklaroi se në një kohë shumë të shkurtër ai mund të takohet me presidentin rus Vladimir Putin për të diskutuar për Ukrainën. Ai shtoi se po punon shumë për të arritur paqen në Ukrainë dhe beson se edhe Putini edhe presidenti ukrainas Volodomir Zelenski duan që luftimet të ndalen. Në pyetjen e gazetyrëve për datën e mundshme të një takimi me Putinin, ndoshta në Arabinë Saudite, Trampi u përgjigj: "Nuk ka një datë konkrete, por ajo mund të ndodhë shumë shpejt".

Trampi, gjithashtu zbuloi se Stiven Uitkof, i cili është dhe një nga këshilltarët e tij kryesorë për çështjet ndërkombëtare, pati një takim treorësh me Putinin, por nuk specifikoi datën në të cilën u zhvillua ai.

Në pyetjen nëse Putini ka për qëllim që ta marrë të gjithë Ukrainën, Tramp u përgjigj: "Jo. Kjo është pyetja që i bëra sepse nëse ai e bën këtë, do të na krijojë një problem të madh", tha Trampi.

Deklarata e Trampit vjen pasi që SHBA-ja dhe Rusia përgatiten për bisedimet fillestare në Arabinë Saudite në ditët në vijim.

Në ndërkohë, botimi rus Komersant publikoi se bisedimet për Ukrainën do të fillojnë të martën në kryeqytetin e Saudisë, Riad.

Përfaqsuesi zyrtar amerikan deklaroi se sekretari amerikan i shtetit Marko Rubio do të udhëheqë një delegacion që do të vizitojë Arabinë Saudite për bisedime të drejtpërdrejta me përfaqësues zyrtarë rusë në ditët në vijim për të kërkuar fundin e pushtimit rus ndaj Ukrainës.

Në bisedimet në Riad pritet të përfshihen këshilltari amerikan për siguri kombëtare Majkll Uollc, si dhe i dërguari i posaçëm i Trampit për Lindjen e Mesme, Stiven Uitkof, deklaroi përfaqësuesi amerikan.

Rubio në lidhje me negociatat e mundshme për Ukrainën deklaroi se asgjë nuk është finalizuar. Në një intervistë për Si-Bi-Es, ai tha se ato bisedime do të ishin një mundësi për të filluar një bisedë më gjithëpërfshirëse që do të përfshinte Ukrainën dhe do të zgjidhte çështjen e përfundimit të luftës.

Zelenski mbrëmë arriti për një vizitë në Emiratet e Bashkuara Arabe (EBA), ku një nga qëllimet e vizitës së tij është të diskutojë një "program të madh humanitar". "Prioritetet tona përfshijnë sjelljen e më shumë të burgosurve të luftës në shtëpi, si dhe investimet dhe partneritetin ekonomik", publikoi në rrjetet sociale presidenti ukrainas.

Më herët këtë javë, Zelenski tha se do të vizitojë Arabinë Saudite, EBA dhe Turqinë në ditët në vijim. Megjithatë, ai potencoi se nuk planifikon të takohet me përfaqsuesit rusë dhe amerikanë, të cilët duhet të takohen në Arabinë Saudite për të diskutuar përfundimin e luftës në Ukrainë.

Moska dhe Uashingtoni po përgatisin një samit mes presidentit rus Vladimir Putin dhe homologut të tij amerikan Donald Tramp, që ka shkaktuar shqetësim në Kiev dhe Evropë, të cilat nuk duan të përjashtohen nga bisedimet e paqes, njoftojnë mediat franceze. rq/

Foto: arkivi i MIA-s

 

QËNDRONI TË LIDHUR