Kurti shkarkon funksionarin që akuzoi ndërkombëtarët për organizimin e trazirave në veri të Kosovës
- Zëvendësministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, Arbër Vokrri është shkarkuar një ditë pasi u shpreh se në disa raste bashkësia ndërkombëtare ka nxitur trazira në veri të Kosovës.
- Post By Fami Bajrami
- 18:41, 23 maj, 2025

Prishtinë, 23 maj 2025 (MIA)- Zëvendësministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, Arbër Vokrri është shkarkuar një ditë pasi u shpreh se në disa raste bashkësia ndërkombëtare ka nxitur trazira në veri të Kosovës.
Në emisionin “60 Minuta” në KTV, Vokrri të enjten përmendi edhe shefin e zyrës së BE-së në Kosovë, Aivo Orav, si një nga personat që sipas tij, ka nxitur trazira. E një ditë më pas, Qeveria ka njoftuar se ai është shkarkuar, njofton Koha.net.
Në komunikatë është thënë se deklaratat e Vokrrit nuk përfaqësojnë qëndrimet e Qeverisë.
“Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Albin Kurti ka liruar sot nga detyra zëvendësminstrin e Administrimit të Pushtetit Lokal, Arbër Vokrri. Ky vendim vjen pas deklarimeve të tij se diplomatë ndërkombëtarë dhe përfaqësues të institucioneve ndërkombëtare, duke apostrofuar me emër Shefin e Zyrës së BE-së në Kosovë, ambasadorin Aivo Orav, me veprime të tyre kanë nxitur trazira në veri të vendit. Deklarimet e z. Vokrri nuk përfaqësojnë qëndrimet e Qeverisë së Republikës së Kosovës”, thuhet në komunikatë.