• e premte, 05 dhjetor 2025

Trampi: Ka pak gjasa të zhvillohet takimi ndërmjet Putinit dhe Zelenskit, por takimi trepalësh është i sigurt

Trampi: Ka pak gjasa të zhvillohet takimi ndërmjet Putinit dhe Zelenskit, por takimi trepalësh është i sigurt

Uashington, 31 gusht 2025 (MIA) – Presidenti amerikan Donald Tramp deklaroi se takimi ndërmjet presidentit rus Vladimir Putin dhe homologut të tij ukrainas Volodomir Zelenski ka pak gjasa dhe se ndoshta do të nevojiten aeroplanë amerikanë që ta ndihmojnë Evropën që ta përfundojë luftën. 

"Takimi trepalësh do të ndodhë, ai dypalësh - nuk e di. Ndonjëherë njerëzit nuk janë gati për të. Unë përdor analogji. Ke një fëmijë dhe një fëmijë tjetër është në shesh lojërash. Ata e urrejnë njëri-tjetrin dhe fillojnë të zihen. Ti do që ata të ndalen, por ata vazhdojnë. Pas një kohe ata duan të ndalen. Ndonjëherë duhet të zihen pak para se t'i bësh të ndalen. Por kjo ka ndodhur për një kohë të gjatë. Shumë njerëz kanë vdekur", tha Trampi në një intervistë për gazetën amerikane “Dejli Koler”.

Ai shtoi se është i gatshëm të ndihmojë me garanci të sigurisë, madje edhe nëse ajo përfshin mbështetje ajrore nga SHBA-ja, që të ndërpritet lufta. 

"Ndoshta do të bëjmë diçka. Do të doja të shihja që diçka të zgjidhet. Këta nuk janë ushtarët tanë, por pesë deri në shtatë mijë, kryesisht të rinj, që vdesin çdo javë. Nëse mund ta ndaloj këtë edhe aeroplanët tanë fluturojnë herë pas here, do të jenë kryesisht evropianë, por ne do t'i ndihmonim. Ata, e dini, kanë nevojë për diçka dhe ne do t'i ndihmonim nëse do të mund të zgjidhnim diçka", shtoi presidenti amerikan.

Ai vlerësoi se pjesëmarrja e vazhdueshme e SHBA-së nuk korrespondon me agjendën “Amerika në vend të parë”. 

"Ne shpenzuam qindra miliarda dollarë për atë luftë. Tani po i shesim pajisje NATO-s. Unë e rrita financimin e tyre nga dy në pesë për qind, askush nuk mendonte se do të funksiononte. Ne nuk i shpenzojmë paratë tona për luftë. Ky është ndryshimi. Nëse mendoj se lufta nuk mund të zgjidhet pa garanci sigurie, nuk do të kemi trupa tokësore, por mund ta ndihmojmë Evropën", tha Trampi. fc/

Foto: Arkivi i MIA-s

 

QËNDRONI TË LIDHUR