• e diel, 22 dhjetor 2024

Toshkovski për vizitë tek Departamenti i njësive të aviacionit të MPB-së

Toshkovski për vizitë tek Departamenti i njësive të aviacionit të MPB-së

Shkup, 17 maj 2024 (MIA) - Ministri i Punëve të Brendshme, Pançe Toshkovski, sot ka qëndruar në një vizitë pune në Njësitin e Helikopterëve për Çështje të Veçanta dhe Njësitin e Helikopterëve për Qëllime Policore, të cilat funksionojnë në kuadër të Departamentit të Njësive të Aviacionit.

Siç kumtoi MPB, në kuadër të vizitës nga ana e udhëheqësisë, ministri u informua me strukturën, fushëveprimin e punës, si dhe problemet specifike që ndeshen si në planin afatshkurtër ashtu edhe në atë afatgjatë, si dhe me pajisjet dhe helikopterët në dispozicion të Ministrisë së Punëve të Brendshme.

"Për momentin, Departamenti është plotësisht i përgatitur për t'iu përgjigjur sfidave të ndryshme si zjarrëfikja, misionet e shpëtimit, transporti i personave VIP, transporti i ngarkesave ajrore, si dhe transporti mjekësor. Problemi kryesor është mungesa e kuadrit të pilotëve dhe të kuadrit teknik, kuadër i cili është shumë specifik dhe i rrallë në tregun e punës dhe duhet të merren masa e reforma serioze sa më shpejt që të jetë e mundur për të kapërcyer këtë problem për të mos vënë në pikëpyetje funksionimin dhe ekzistencën e këtij njësiti organizativ shumë të rëndësishëm", theksoi Toshkovski.

Gjithashtu, siç ka shtuar ministri, helikopterët në pronësi të Ministrisë së Punëve të Brendshme janë teknikisht të vjetëruar dhe servisimi i tyre po bëhet gjithnjë e më i vështirë, për këtë arsye është e pashmangshme nevoja për një blerje serioze të helikopterëve të rinj, të cilët do të unifikojnë flotën për një funksionim më efikas dhe ekonomik në të ardhmen, në përputhje me standardet ndërkombëtare dhe arritjet teknologjike që gjejnë zbatim të gjerë në veprimet moderne policore.

"Për këto arsye është e nevojshme të bëhet një analizë e thellë dhe të ndërmerren hapat e duhur strategjik me qëllim të forcimit dhe rritjes afatgjate të kapaciteteve policore në këtë pjesë", theksoi ministri Toshkovski gjatë vizitës së sotme. ab/

Foto: МРB

 

 

 
 

QËNDRONI TË LIDHUR