• e premte, 05 dhjetor 2025

Toshkovski: Në të ardhmen, atyre që sillen pa kujdes në komunikacion do t'u konfiskohen veturat

Toshkovski: Në të ardhmen, atyre që sillen pa kujdes në komunikacion do t'u konfiskohen veturat

Kumanovë, 31 korrik 2025 (MIA) – Nuk do të ketë rritje të gjobave për kundërvajtjet në komunikacion, por ata të cilët ngasin pa kujdes, në gjendje të alkoolizuar, pa patentë shoferi, me shpejtësi të madhe do t’u konfiskohet vetura dhe do t’u dhurohet institucioneve, paralajmëroi sot ministri i Punëve të Brendshme, Pançe Toshkovski nga VK Tabanoc. 

“Me ligjin e ri për sigurinë dhe ligjin e ri për kundërvajtjet, gjoba, e cila aktualisht është e përcaktuar në një shumë të caktuar, nuk do të rritet. Megjithatë, për ata që drejtojnë automjete në mënyrë të pakujdesshme, që hipin pas timonit pa patentë shoferi, që drejtojnë automjete në gjendje të dehur me shpejtësi që tejkalon 200 km/orë, do të vazhdojmë të kemi konfiskim të përhershëm të automjeteve. Ajo që nuk ka qenë rasti deri më tani dhe me ndryshimet në Kodin Penal, në të ardhmen, përveç pagesës së gjobës, do të jetë e detyrueshme të shqiptohet edhe një dënim adekuat, qoftë dënim me kusht apo dënim me burg”, tha ministri Toshkovski.

Ata të cilët drejtojnë automjetet pa kujdes më nuk do të “shpëtojnë” me pagesën vetëm të dënimit, do të vuajnë edhe burgun dhe do t’u konfiskohet vetura. 

“Do t’u konfiskohet vetura me të cilën bëhen vepra të tilla penale prej të cilave për fat të keq po i humbim më të rinjtë tanë si në rrugë, në qytete, ashtu edhe në autostrada”, tha Toshkovski. 

Ai tha se në publik ka dezinformata për këtë pjesë dhe paralajmëroi dënime të rrepta për ata të cilët pa kujdes i ngasin veturat. 

“Njeriut pa patentë shoferi nuk duhet t’i lejohet të hyjë në komunikacion, njeriut i cili është nën ndikimin e drogës dhe alkoolit nuk duhet t’i lejohet të jetë pjesë e komunikacionit dhe do t’u marrim veturat dhe do t’u dhurojmë institucioneve të cilat do t’i vendosin në funksion të të gjithë qytetarëve”, deklaroi Toshkovski. fc/ 

Foto dhe video: MIA

QËNDRONI TË LIDHUR