• e martë, 11 mars 2025

Taravari: Nuk do të nënshkruhet marrëveshja me "Gjoka konstrakshën" (PLT)

Taravari: Nuk do të nënshkruhet marrëveshja me

Shkup, 11 mars 2025 (MIA) - Ministri i Shëndetësisë, Arben Taravari sot në konferencë për shtyp kumtoi se nuk do të nënshkruhet marrëveshje me "Gjoka konstrakshën", ndërmarrje nga Shqipëria, e cila duhej të menaxhonte me parkingun në Qendrën klinike.

Taravari potencoi se po shqyrtohen dy opsione për menaxhim me parkingun.

"I pari është që NP 'Parkingu i qytetit' të ndërtojë dy garazhe në kate dhe t’i menaxhojë, ndërsa i dyti është që këtë ta bëjë Shërbimi për çështje të përgjithshme dhe të përbashkëta pranë Qendrës Klinike", tha Taravari.

Në pyetjen e gazetarëve nëse do të prishet tenderi, thotë se me siguri po, duke shtuar se janë të hapur për opinionin për ide se si të zgjidhet problemi me parkingun në Qendrën klinike.

"Tenderin me siguri do ta shfuqizoj, ka spekulime të ndryshme, jemi të hapur për të gjitha partitë poplitike dhe për opinionin, të cilët kanë ide se si ta zgjidhim problemim me parkingjet dhe garazhet në kate, nuk është patjetër të jenë garazhe në kate, le të japin ide si ndryshe ta zgjidhim këtë turmë që po bëhet në Qendrën klinike. Njerëzve u duhet rreth një orë për t'u parkuar", tha Taravari. 

Ministri përsëriti se po mendohen dy opsione, se janë transparentë për të gjithë dhe janë të hapur për të gjithë, të cilët kanë ide për zgjidhjen më të mirë, ku pacientët as që do të paguanin, ose do të paguanin më lirë.

"Nuk do të lejoj që të keqpërdoret emri i Ministrisë së Shëndetësisë, kjo është temë që diskutohet prej pesë-gjashtë ditësh, kjo është vërtet shqetësuese dhe po kërkoj një zgjidhje që do të jetë e pranueshme në përgjithësi. Telefonova NP 'Parkingje' për të parë nëse mund të investojnë në garazhe në kate dhe të vazhdojnë të menaxhojnë parkingjet në Qendrën klinike, që është një nga zgjidhjet e mundshme. Dhe nëse nuk munden, atëherë le të shqyrtojmë opsion tjetër. Ndërkohë do të bisedojmë me të gjitha palët e interesuara, partitë politike, organizatat joqeveritare, të cilët kanë ide se si të arrihet deri te çmimi nën 30 denarë për parkim në orë dhe të kemi përfitime më të mëdha për shoqërinë dhe shtetin", tha Taravari.

Ai shtoi se Qendrës klinike i nevojiten edhe të paktën 500 deri 600 vende parkimi, ndërsa për të shmangur çdo bllokim, nevojiten 1.000 deri në 1.110.

Mediumet javën e kaluar raportuan se operatori privat nga Shqipëria, "Gjoka konstrakshën", ishte kompania e vetme që iu përgjigj thirrjes për partneritet publik-privat. Nëse e fiton marrëveshjen, do të duhej të investonte në garazhe në kate, por çmimi i parkingut do të ishte 50 denarë për orë, në vend të 30 sa është tani, ndërsa në këmbim do t’i transferojë shtetit vetëm një për qind nga të ardhurat vjetore.

Partia opozitare LSDM para konferencës për shtyp të ministrit Taravari, tregoi dokument dhe akuzoi se Ministria e Shëndetësisë dhe ministri Arben Taravari që nga fillimi i punës me "Gjoka konstrakshën", kanë hequr dorë nga 99 për qind të ardhura dhe ua kanë lënë kompanisë private.

"Dolën në sipërfaqe dëshmitë e qarta për biznesin skandaloz për parkingun në Qendrën klinike. Këto janë dokumentet nga shpallja për tenderin, të cilin e ka shpallur Ministria e Shëndetësisë. Konfirmohet se Ministria e Shëndetësisë dhe ministri Arben Taravari që nga vet fillimi për këtë biznes me 'Gjoka konstrakshën", kanë hequr dorë nga 99 për qind nga të ardhurat dhe ua kanë lënë kompanisë private. Do të thotë për kompaninë private 99 për qind nga të ardhurat, ndërsa për shtetin vetëm një për qind mizorë! Ose në numra. Për të ardhura vjetore prej 3,5 milionë euro nga parkingu në Qendrën kloinike, për shtetin do të ishin vetëm 35.000 euro, ndërsa për kompaninë private 3.465.000 euro. E për këtë shkak ky skandal është i madh", tha në konferencë për shtyp, Martin Kostovski nga LSDM-ja.

Kryeministri Hristijan Mickoski të premten deklaroi se në lidhje me menaxhimin e parkingut në Qendrën klinike, ende nuk ka vendim të Qeverisë, ndërsa marrëveshja nuk është nënshkruar, dhe, siç tha, "nëse opinioni thotë se nuk e duam, nuk do ta nënshkruajmë".

Kryeministri iu referua fizibiliti studimit, të përpunuar nga qeveria paraprake, sipas të cilit parkingu në Qendrën Klinike "Nënë Tereza" duhet të menaxhohet nga një operator privat. Ai i bëri thirrje Parkingut të Qytetit - Shkup të mbajnë rendin, pasi, Qendra klinike nuk funksionon, siç tha, në kushte normale. bsh/

Foto: MIA

QËNDRONI TË LIDHUR