Taravari: Në jetën time kurrë nuk i jam nënshtruar presionit
- Vetëm një person që është absolutisht i pastër mund të dalë në opozitë pa iu dridhur syri, tha sonte lideri i Aleancës për Shqiptarët, Arben Taravari.
- Post By Fami Bajrami
- 20:49, 31 korrik, 2025
Shkup, 31 korrik 2025 (MIA) - Vetëm një person që është absolutisht i pastër mund të dalë në opozitë pa iu dridhur syri, tha sonte lideri i Aleancës për Shqiptarët, Arben Taravari.
“Nëse do të kishte presion do të kisha mbetur në qeveri. Nuk di ndonjë që për shkak të presionit ka kaluar në opozitë, këto janë spekulime. Nuk ka pasur kurrë presion as nga pala tjetër, kurrë në jetën time nuk i jam nënshtruar presionit. Në vitin 2017 në Gostivar kam pasur bashkëpunim me VMRO-DPMNE-në në pushtetin lokal dhe u përballa me presion nga pushteti qendror. Pushteti qendror është ai që mund të ushtrojë presion, opozita nuk mundet. Ndërsa kur të vijë koha që t’i nënshtrohem presionit, nuk do të merrem me politikë", tha Taravari në "Vesti plus".
Ai pret që në zgjedhjet e ardhshme lokale së bashku me Frontin Evropian në bllokun shqiptar të fitojnë më shumë se dy me një krahasuar me VLEN-n dhe thotë se nëse raporti është më i ulët, “nuk ka nevojë apo logjikë që të kërkohen zgjedhje të parakohshme parlamentare”.
Foto: printskrin