Takimi i Milloshoskit dhe anëtarëve të KÇE-së me kryetaren e Kuvendit të Sllovenisë: Rikonfirmohet mbështetja e fortë nga Sllovenia për integrimin evropian të Maqedonisë së Veriut
- Kryetari i Komisionit për Çështje Evropiane, Antonijo Milloshoski dhe anëtarët e këtij trupi punues të Kuvendit, në ditën e dytë të vizitës së saj në vend, takuan kryetaren e Kuvendit të Sllovenisë, Urshka Kllakoçar Zupançiq.
- Post By Besnik Shuki
- 14:51, 10 prill, 2025

Shkup, 10 prill 2025 (MIA) - Kryetari i Komisionit për Çështje Evropiane, Antonijo Milloshoski dhe anëtarët e këtij trupi punues të Kuvendit, në ditën e dytë të vizitës së saj në vend, takuan kryetaren e Kuvendit të Sllovenisë, Urshka Kllakoçar Zupançiq.
Siç kumtuan nga pres shërbimi i Kuvendit, në takim u shkëmbyen mendime për disa aspekte të bashkëpunimit ndërmjet vendit tonë dhe Republikës së Sllovenisë, me theks në mbështetjen e vazhdueshme sllovene për integrimin evropian të Maqedonisë së Veriut, si dhe për të gjithë procesin e zgjerimit të Bashkimit Evropian.
"Milloshoski foli për pengesat me të cilat ballafaqohet vendi ynë në rrugën e gjatë drejt arritjes së qëllimit strategjik, duke theksuar zhgënjimin e shkaktuar te qytetarët nga procesi i stërzgjatur i integrimit evropian, si faktor që nxit edhe migrimin", thuhet në kumtesë.
Bashkëbiseduesit iu referuan edhe përvojës sllovene në raport me Kroacinë, si shembull i përshtatshëm për tejkalimin e kontesteve dypalëshe në interes të zgjerimit të BE-së.
Kllakoçar Zupançiq e rikonfirmoi mbështetjen e fuqishme të Sllovenisë për integrimin e vendit tonë në BE, duke vlerësuar se procesi i zgjerimit duhet të vazhdojë sa më shpejt për të gjithë rajonin e Ballkanit Perëndimor.
Kryetarja e Kuvendit dhe deputetët e KÇE-së shkëmbyen mendime edhe për bashkëpunimin parlamentar ndërmjet Maqedonisë së Veriut dhe Sllovenisë, si dhe për mundësitë për shfrytëzimin e përvojave në procesin e reformave, veçanërisht në fushën e arsimit dhe shëndetësisë publike. bsh/
Foto: Kuvendi i RMV-së