Përveç kujdesit mjekësor dhe fizioterapik, të lënduarit nga Koçani në "Ponikva" do të marrin edhe mbështetje psikologjike dhe sociale
- Jo vetëm kujdes mjekësor dhe fizioterapik, por edhe mbështetje psikologjike dhe sociale do t'u ofrohet të lënduarve në tragjedinë në Koçan të cilëve me vendim qeveritar do t'u lejohet të rehabilitohen në pushimoren "Ponikva".
- Post By Fami Bajrami
- 16:03, 8 qershor, 2025
Shkup, 8 qershor 2025 (MIA) - Jo vetëm kujdes mjekësor dhe fizioterapik, por edhe mbështetje psikologjike dhe sociale do t'u ofrohet të lënduarve në tragjedinë në Koçan të cilëve me vendim qeveritar do t'u lejohet të rehabilitohen në pushimoren "Ponikva".
Siç njoftoi sot zëdhënësja e qeverisë, Marija Miteva, tashmë po hartohet plan operativ i cili do të përfshijë edhe plan për kujdesin e stafit mjekësor për pacientët.
Miteva informoi se Qeveria javën e ardhshme do të marrë vendim me të cilin qendra "Ponikva", në pronësi të Ministrisë së Punëve të Brendshme, do t'i transferohet Ministrisë së Shëndetësisë. "Ponikva" është në gjendje të mirë, tha ajo dhe nuk do të ketë nevojë për ndërhyrje shtesë ose, nëse ka, ato do të jenë minimale.
"Qendra turistike 'Ponikva' ka 27 dhoma dhe 56 shtretër e vendosur në një mjedis natyror dhe të qetë, gjë që e bën atë një hapësirë jashtëzakonisht të përshtatshme për pacientët që janë tashmë në fazën e trajtimit ku është e nevojshme terapia fizike. Këta janë pacientë që janë tashmë të gjendje stabile, por që kanë nevojë reale për trajtim të mëtejshëm, me qëllim parandalimin dhe zvogëlimin e pasojave afatgjata nga djegiet, si dhe ndërlikimeve të tjera të mundshme që lidhen me trajtimin afatgjatë. Do të hartohet plan që pacientët të shpërndahen në disa grupe dhe cikle të terapisë me qëllim që të mundësohet qasje e personalizuar ndaj secilit rast individual, konform rekomandimeve të mjekëve. Përveç kujdesit mjekësor, kjo masë ka edhe një aspekt të rëndësishëm psikologjik dhe social. Mundësia e qëndrimit në këtë lloj objekti do të kontribuojë në mbështetjen e ndërsjellë midis pacientëve dhe përmirësimin e gjendjes së tyre psiko-emocionale", theksoi Miteva.
Sipas vlerësimit të mjekëve, kujtoi ajo, pacientët nuk duhet të ekspozohen ndaj rrezeve të diellit direkte dhe temperaturave të larta dhe në të njëjtën kohë, nuk duhet të përballen me një ngarkesë shtesë fizike dhe logjistike.
"'Ponikva' ofron të gjitha parakushtet për këtë lloj kujdesi. Presim që të gjitha këto procedura t'i përfundojmë sa më shpejtë dhe institucionalisht t'i sjellim këto vendime, stafi mjekësor të kontaktojë të gjithë pacientët, pas së cilës do të fillojë vendosja dhe zbatimi i terapive, sipas planit të përcaktuar. Kjo masë është një përgjigje institucionale, shprehje e përgjegjësisë dhe angazhimit ndaj secilit individ. Nuk ka asgjë më të rëndësishme se jeta e njeriut dhe dinjitetit të njerëzve", ka thënë zëdhënësja.
Duke iu përgjigjur pyetjes së gazetarëve, Miteva theksoi se pret që në seancën e ardhshme qeveritare të diskutohet Plani i veprimit të përgatitur nga Instituti i Shëndetit Publik (ISHP) për të parandaluar pasojat e valëve të nxehtësisë mbi shëndetin e popullatës.
"Për këtë temë ekzistojnë institucione kompetente, siç është Instituti i Shëndetit Publik i cili do të jep rekomandimet, ndërsa Qeveria është ajo që duhet t'i zbatojë ato", ka thënë Miteva.
foto: arkivi i MIA-s