• e shtunë, 23 nëntor 2024

Takimi i Komisionit parlamentar për Çështje Kushtetuese me Delegacionin e Gjykatës Kushtetuese Federale të Gjermanisë

Takimi i Komisionit parlamentar për Çështje Kushtetuese me Delegacionin e Gjykatës Kushtetuese Federale të Gjermanisë

Shkup, 11 shtator 2024 (MIA) - Delegacioni shumë anëtarësh i Gjykatës Kushtetuese Federale të Gjermanisë, i përbërë nga gjykatës, bashkëpunëtorë dhe ekspertë, duke përfshirë edhe Rajnhard Pribe, sot në Kuvendin e Republikës së Maqedonisë së Veriut realizoi takim me Kryetarin Afrim Gashi, si kryetar i Komisionit për Çështje Kushtetuese dhe me deputetë tjerë të këtij trupi të punës.

Siç bëri të ditur shërbimi për informim i Kuvendit, në takim u diskutua për frymën dhe strukturën e Kushtetutës së Maqedonisë së Veriut, ndryshimet e bëra në 33 vitet e fundit, strukturën dhe përzgjedhjen e anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese në vend...

Gjithashtu u shkëmbyen mendime edhe për reformat e nevojshme në drejtësi dhe për përmirësimin e parimeve të sundimit të së drejtës dhe shtetit juridik, si pjesë e kritereve kryesore në procesin e integrimit evropian.

Kryetari Gashi, në cilësinë e kryetarit të Komisionit për Çështje Kushtetuese, e përshëndeti praninë e Delegacionit nga Gjykata Kushtetuese Federale e Gjermanisë, duke theksuar se vendi ynë, si një demokraci ende e re, duhet vazhdimisht të fitojë përvoja nga demokracitë më të zhvilluara dhe nga miqtë e saj në Bashkimin Evropian.

Duke iu referuar marrëdhënieve midis dy vendeve, Gashi vlerësoi se Gjermania është mik i madh i Maqedonisë së Veriut dhe është ndër mbështetësit më të mëdhenj për arritjen e qëllimeve tona strategjike, siç është anëtarësimi tashmë i arritur në NATO dhe anëtarësimi i pritur në BE, qëndron në kumtesë.

Kryetari Gashi e theksoi edhe rëndësinë e të ashtuquajturit “Raporti i Pribesë”, përkatësisht rekomandimet e përmbajtura në të, për të forcuar funksionin kontrollues të Kuvendit të RMV-së, duke forcuar mbikëqyrjen parlamentare mbi shërbimet e sigurisë dhe kundërzbulimit.

Të pranishmit ndanë informacione se që nga miratimi në vitin 1991, Kushtetuta e Maqedonisë së Veriut është ndryshuar tetë herë, me 36 amendamente, duke përfshirë ndryshimet e parapara me Marrëveshjen Kornizë në vitin 2001 dhe më pas me Marrëveshjen e Prespës. Lidhur me strukturën e Gjykatës Kushtetuese, u theksua se duhet të hartojë ligj të veçantë për Gjykatën Kushtetuese, me kritere më të qarta për përzgjedhjen e gjykatësve dhe eventualisht të parashikohet ankesa dhe padia kushtetuese. fc/

Fotografia: Kuvendi

QËNDRONI TË LIDHUR