Tajani: Nëse dëshiron rizgjedhje, Fon der Lajen do të duhet të merret vesh me bllokun e Melonit
- Mënyra e vetme që Ursulla fon der Lajen të rizgjedhet kryetare e Komisionit evropian në Parlamentin evropian, është koalicioni që mbeti pas kandidaturës së saj të dakordohet për mbështetje me grupin e Konservatorëve dhe reformistëve evropianë (ECR), konsideron zëvendëskryeministrit italian dhe ministër i Punëve të Jashtme, Antonio Tajani.
- Post By Arta Bunjaku
- 11:48, 2 korrik, 2024
Bruksel, 2 korrik 2024 (MIA) - Mënyra e vetme që Ursulla fon der Lajen të rizgjedhet kryetare e Komisionit evropian në Parlamentin evropian, është koalicioni që mbeti pas kandidaturës së saj të dakordohet për mbështetje me grupin e Konservatorëve dhe reformistëve evropianë (ECR), konsideron zëvendëskryeministrit italian dhe ministër i Punëve të Jashtme, Antonio Tajani.
"Pa dyshim se Fon der Lajen do ta kalojë votimin, por do të jetë e detyruar të kërkojë mbështetje nga konservatorët dhe besoj se do ta bëjë atë", deklaroi Tajani në intervistën për gazetën "Koriere dela Sera".
Tajani është lider i partisë Forca Italia (FI), e cila është pjesë e Partisë popullore evropiane (EPP) të Fon der Lajenit. Forca Italia është pjesë e koalicionit qeveritar italian të kryesuar nga kryeministrja Xhorxha Meloni, e cila është lidere e Vëllezërve të Italisë (FDI), partia më e madhe në grupin djathtist Konservatorët dhe reformistët evropianë (ECR).
Sipas tij, koalicioni i këtillë i "zgjeruar" për mbështetje të Fon der Lajenit është i domosdoshëm, sepse disa eurodeputetë nga blloku i ashtuquajtur "proevropian" i EPP-së. socialdemokratët dhe liberalët, që qëndruan prapa kandidaturës së saj, mund të votojnë kundër dhe ajo të mos e marrë numrin e nevojshëm të votave për rizgjedhjen e saj.
Tajani shtoi edhe se negociatat mes Melonit dhe Fon der Lajen "po përparojnë", duke cekur se kryetares së Komisionit evropian i nevojiten votat e FDI-së për të qenë e sigurt në rizgjedhjen e saj.
Fon der Lajen që gjatë fushatës për Zgjedhjet evropiane nuk e përjashtoi mundësinë për bashkëpunim me disa nga "partitë më të matura" nga ECR, ndaj çka kundërshtuan socialdemokratët dhe liberalët. Socialdemokratët cekën më tej edhe se "nuk do të ulen në tryezë të njejtë për negociata me Melonin".
Paraprakisht burime diplomatike brifuan se Meloni e ka kushtëzuar mbështetjen për Fon der Lajen me marrjen e vendit "të rëndësishëm" të eurokomisarit lidhur me resorët ekonomik për Italinë dhe emërimin e kuadrit të ECR-së për nënkryetar ekzekutiv apo nënkryetar të Komisionit evropian.
Tajani në intervistë për "Koriere dela Sera" theksoi se beson se Italia "ka të drejtë për pozicion të rëndësishëm" në Komisionin e ri Evropian dhe se "nuk mund të mbetet pa komisar të rëndësishëm dhe nënkryetar".
Sipas Tajanit, ministri aktual italian për çështje evropiane Rafaele Fito, i cili vjen nga radhët e FDI-së së Melonit, do të ishte kandidati adekuat për eurokomisar.
Përndryshe, Tajani prej vitit 1994 deri në vitin 2008 dhe prej vitit 2014 deri në vitin 2022 ishte eurodeputet, ndërsa në periudhën prej vitit 2008 deri në vitin 2014 eurokomisar për transport dhe për industri dhe sipërmarrësi. Prej vitit 2014 deri në vitin 2017 ishte nënkryetar, ndërsa prej vitit 2017 deri në vitin 2019 edhe kryetar i Parlamentit evropian. ab/
Foto: МIА Arkivi