• e martë, 24 dhjetor 2024

Tërmet i fuqishëm në Marok, kanë humbur jetën të paktën 296 njerëz

Tërmet i fuqishëm në Marok, kanë humbur jetën të paktën 296 njerëz

Marakesh, 9 shtator 2023 (MIA) - Së paku 296 persona kanë humbur jetën nga tërmeti i madh që një natë më parë goditi Marokun dhe shkaktoi dëme materiale dhe panik në Marakesh dhe në disa qytete të tjera, njoftuan sot në mëngjes autoritetet lokale, duke informuar për bilancin e parë nga katastrofa.

Qendra kombëtare për kërkime shkencore dhe teknike me bazë në Rabat njoftoi se tërmeti ka qenë me intensitet prej 7 ballëve të shkallës Rihter dhe se epiqendra e tij ishte në provincën Al Houz, në jugperëndim të Marakeshit, një destinacion popullor për turistët e huaj.

“Sipas raportit të përkohshëm, 296 njerëz kanë humbur jetën nga tërmeti në provincat dhe komunat Al-Hauz, Marakesh, Uarzazate, Azilal, Çiçau dhe Tarudan”, thuhet në komunikatën e autoriteteve.

Shtohet se më shumë se 150 persona janë lënduar dhe janë dërguar në spitale.

Mediat lokale raportuan se ky ishte tërmeti më i fortë që ka goditur Marokun deri më tani.

Përveç në Marakesh, lëkundjet e tokës janë ndjerë edhe në Rabat, Kasablanca, Agadir dhe Esauira, duke shkaktuar panik në popullatë. Shumë njerëz dolën në rrugët e atyre qyteteve nga frika e shembjes së shtëpive të tyre, sipas imazheve të postuara në rrjetet sociale.

Qendra rajonale e transfuzionit të gjakut në Marakesh u bëri thirrje sot banorëve që të dhurojnë gjak për të lënduarit.

Kryeministri indian Narendra Modi, i cili është organizator i samitit të G20 në Nju-Delhi këtë fundjavë, dërgoi ngushëllimet e tij për të afërmit e viktimave të tërmetit. Një mesazh ngushëllimi ka dërguar edhe kancelari gjerman Olaf Sholc.

Në shkurt të vitit 2004, një tërmet me magnitudë 6.3 ka goditur provincën Al Hoseima, 400 kilometra në verilindje të Rabatit, duke vrarë 628 njerëz dhe duke shkaktuar dëme të mëdha materiale.

Më parë, më 29 shkurt të vitit 1960, një tërmet ka shkatërruar Agadirin, në bregun perëndimor të vendit dhe ka lënë më shumë se 12.000 të vdekur, ose një të tretën e popullsisë së qytetit. mb/

Foto: EPA

QËNDRONI TË LIDHUR