Stojkoski: Po përgatitet ligj i ri për veprimtarinë hotelerike me dispozita për kontroll dhe përgjegjësi penale
- Po përgatitet ligj i ri për veprimtarinë hotelerike ku parashikohen dispozita të detyrueshme për kontroll dhe përgjegjësi penale nëse dikush në mënyrë të papërgjegjshme kryen veprimtari hotelerike, bëri të ditur sot drejtori i Inspektoratit shtetëror të tregut, Vllatko Stojkoski.
- Post By Fami Bajrami
- 15:23, 28 qershor, 2025
Shkup, 28 qershor 2025 (MIA) - Po përgatitet ligj i ri për veprimtarinë hotelerike ku parashikohen dispozita të detyrueshme për kontroll dhe përgjegjësi penale nëse dikush në mënyrë të papërgjegjshme kryen veprimtari hotelerike, bëri të ditur sot drejtori i Inspektoratit shtetëror të tregut, Vllatko Stojkoski.
Në konferencën për shtyp në Qeveri, Stojkoski tha se dënimet do të jenë më rigoroze dhe parashikohet përgjegjësi penale për pronarët e objekteve hotelerike nëse shkelin dispozitat e ligjit.
"Sektori hotelerik mund dhe duhet të jetë shembull për biznes legal, të përgjegjshëm dhe konkurrues", ka thënë Stojkoski.
Në bazë të Ligjit ekzistues për veprimtari hotelerike, janë kryer gjithsej 2.675 inspektime dhe janë lëshuar 879 urdhërpagesa të përkohshme dhe 79 vendime për ndalim të përkohshëm të kryerjes së aktiviteteve. Nga 17 marsi deri më 15 qershor të këtij viti, janë kryer 1.713 inspektime dhe janë lëshuar 716 urdhra kundërvajtës dhe 60 vendime për ndalesë të përkohshme për kryerjen e aktiviteteve të hotelerisë.
Drejtori i ISHP-së ka thënë se veprohet në mënyrë joselektive dhe se janë konstatuar vërejtje si mungesa e licencave për punë, kushte joadekuate, mospërmbushje e kërkesave minimale teknike për punë, tejkalimi i orarit të punës....
Sipas të dhënave nga ISHT, në kryeqytet nuk ka asnjë objekt me licencë të vlefshme për kabare apo diskotekë, ndërsa në nivel të të gjithë vendit ka 14 licenca të vlefshme.
Nga 1 nëntori i vitit të kaluar deri më 15 qershor të këtij viti, ISHT kreu gjithsej 17.359 inspektime në mbarë vendin dhe lëshoi 4.542 urdhërpagesa me vlerë totale prej 110 milionë denarë.
"Gjatë kësaj periudhe kryem një gamë të gjerë të kontrolleve të rregullta dhe të jashtëzakonshme në gjithë territorin. Punuam në terren, të pranishëm aty ku sistemi para nesh toleronte kaos, padrejtësi dhe ekonominë gri. Puna jonë nuk ishte selektive, çdo objekt, pavarësisht vendndodhjes dhe pronësisë njëlloj i është nënshtruar kontrollit", ka thënë Stojkoski.
Foto: printskrin