• e shtunë, 21 dhjetor 2024

Stjuart Piç për MIA-n: BE-ja është rruga e duhur, çdo vonesë e mëtejshme u jep hapësirë të tjerëve, veçanërisht Rusisë

Stjuart Piç për MIA-n: BE-ja është rruga e duhur, çdo vonesë e mëtejshme u jep hapësirë të tjerëve, veçanërisht Rusisë

Shkup, 18 dhjetor 2024 (MIA) - Bashkimi Evropian është rruga e duhur, Mbretëria e Bashkuar, edhe pse nuk është më pjesë e Unionit, ende ofron mbështetje të fortë dhe të vazhdueshme për integrimin evropian të vendit dhe çdo vonesë е mëtejshme u jep hapësirë të tjerëve, veçanërisht Rusisë, e cila vazhdon të operojë në rajon me dezinformata, citon në një intervistë për MIA-n, përfaqësuesi special britanik për Ballkanin Perëndimor, Lordi Stjuart Piç, i cili ishte për vizitë në Shkup. 

Intervistën me Piç e realizuam dje dhe në të ai trajtoi ndër të tjera rrugën e vendit drejt BE-së, duke pasur parasysh se lufta në Ukrainë përshpejtoi procesin e Euro-ndërveprimit për Ukrainën dhe Moldavinë, Shqipëria filloi negociatat, por Maqedonia e Veriut ende në një farë mënyre qëndron në vend. I pyetur nëse, sipas tij, Brukseli do ta pranojë kërkesën e Qeverisë maqedonase për ndryshime të vonuara kushtetuese, për të shmangur një veto të re bullgare, e cila nuk lidhet me kriteret e Kopenhagës, por me çështjet dypalëshe, Piç nuk jep një përgjigje konkrete, por thekson se anëtarësimi në Bashkimin Evropian është një politikë që Mbretëria e Bashkuar e mbështet. 

 

“Metoda dhe procesi është midis Bashkimit Evropian – siç e dini, Mbretëria e Bashkuar nuk është më pjesë e Bashkimit – por është e rëndësishme të vazhdohet në rrugën euroatlantike, e cila përfshin Aleancën e NATO-s. Ka zgjidhje, korniza dhe marrëveshje, ju përmendët më herët Marrëveshjen e Ohrit, të cilën ne e mbështesim. Kam 25 vjet që vij në vendin tuaj të bukur. E di që është një rrugë e gjatë, e di dhe e kuptoj që njerëzit presin shumë gjatë. Miqtë e mi këtu, ma shpjeguan këtë. Bëhet fjalë për durimin dhe ka të bëjë me liderët këtu që demonstrojnë se rruga drejt BE-së është rruga e duhur dhe e dukshme, sepse ne jemi këtu në zemër të Evropës. Është e rëndësishme që të rinjtë të kenë më së shumti ndjenjën se gjërat po ecin për të pasur një të ardhme më të mirë dhe të begatë. Vonesat e mëtejshme u japin hapësirë të tjerëve, veçanërisht Rusisë, e cila vazhdon të operojë në rajon me dezinformata. Rusia filloi dhe vazhdon të bëjë një luftë të paligjshme dhe të tmerrshme në kontinentin evropian. Nuk është shumë larg nga ku jemi sot. Duhet të jemi seriozë për faktin se Rusia vazhdon me dezinformimin përmes mediave dhe edhe në vendin tim Rusia vazhdon të destabilizojë, si dhe me akte sabotazhi dhe spiunazhi. Alternativa, rruga më e mirë është ajo drejt Bashkimit Evropian. Dhe ne do të bëjmë gjithçka për ta mbështetur këtë”, thekson Piç

Ai gjatë vizitës në Shkup pati takime me presidenten Gordana Siljanovska Davkova, kryeministrin Hristjan Mickoski dhe ministrin e mbrojtjes Vllado Misajllovski. Ai e përgëzoi Qeverinë për, siç tha, agjendën e saj ambicioze dhe shtoi se tani ekziston një mundësi reale që marrëdhëniet mes Mbretërisë së Bashkuar dhe Maqedonisë së Veriut të bëhen më të ngushta.

 

“Ne kemi ekspertizë dhe infrastrukturë energjetike dhe këto çështje i kemi diskutuar me Qeverinë. Dhe ne, si vend, jemi të përkushtuar ndaj agjendës së transformimit të energjisë. Agjendat që kemi janë reciprokisht të dobishme për të dy partnerët“, vuri në dukje Piç.

Si njohës i mirë i mundësive në rajon, në biografinë dhe përvojën e tij të pasur profesionale, ku ndër të tjera ishte komandant i Forcave Ajrore të NATO-s në Kosovë në vitin 2000, me Stjuart Piç diskutuam për njoftimet për destabilizimin e mundshëm në vend, të cilat shpeshherë nga kryeministri Mickoski u vu në dukje si një mënyrë e veprimit të BDI-së, e cila pas shumë vitesh doli në opozitë. Në pyetjen nëse rrjedha e ngjarjeve që po shohim dhe së fundi seanca e Gjykatës Kushtetuese për Ligjin për përdorimin e gjuhëve, për të cilën pati reagime të ashpra nga BDI-ja, a mund ta rikthejë në lojë hartën etnike, një përpjekje për të fituar pikë politike, Piç u përgjigj se është e qartë se qytetarët në rajon duhet të shikojnë përpara për një të ardhme të përbashkët të begatë pavarësisht nga përkatësia etnike dhe historia.

“Është e qartë se të gjithë njerëzit në rajon duhet të shikojnë përpara për një të ardhme të begatë së bashku, pavarësisht nga përkatësia etnike dhe historia. Ne duhet të përpiqemi së bashku për një shoqëri të qëndrueshme për të gjithë qytetarët. Mbretëria e Bashkuar ka qenë një partner i fortë në Maqedoninë e Veriut për më shumë se 30 vjet dhe ka luajtur një rol të rëndësishëm në mbështetjen e këtyre marrëveshjeve. Mesazhi më i rëndësishëm që mund të ofroj është se këto janë vlerat që ndajmë tani dhe në të ardhmen. Shteti i së drejtës, respektimi i institucioneve, respekti reciprok dhe të drejtat e njeriut. Të gjithë qytetarët e Maqedonisë së Veriut besojnë në këtë, unë e di këtë dhe askush nuk e dëshiron të kundërtën e stabilitetit. Ne po e shohim nga lufta ilegale në Ukrainë, nga konflikti në Lindjen e Mesme, sre çfarë ndodh kur stabiliteti bie. Ne, unë dhe ekipi këtu, mbështesim fuqishëm stabilitetin këtu dhe vlerat e barabarta për të gjithë njerëzit këtu, pavarësisht nga përkatësia etnike, thotë Piç. 

 

Në lidhje me aksionin për shpërbërjen e një grupi terrorist të lidhur me Shtetin Islamik, i cili, sipas deklaratës së ministrit të Punëve të Brendshme Toshkovski, kishte planifikuar sulme në vend dhe në rajon, si dhe për të dhënë një vlerësim të përgjithshëm të situates së sigurisë në rajon, Piç, i cili ndër të tjera ishte kreu i Gjeneralshtabit të Mbretërisë së Bashkuar, por edhe kryetar i Komitetit Ushtarak të NATO-s, thekson se është e rëndësishme të mbrohet bashkërisht demokracia.

 

“Unë kam një lidhje emocionale me vendin tuaj, me shumë miq këtu pas rolit tim në NATO, ku mbështeta pranimin tuaj në NATO. Kjo ishte pothuajse pesë vjet më parë. Besoj se anëtarësimi në NATO për të gjithë qytetarët e Maqedonisë së Veriut mundësoi një ndjenjë të sigurisë së përbashkët dhe kolektive për njerëzit. I përgëzoj forcat e armatosura të Maqedonisë së Veriut për kontributin e tyre në NATO, si dhe për modernizimin, për të cilin diskutuam dje. I përgëzoj forcat e armatosura për këtë proces. Ekziston një marrëdhënie interesante midis çdo force të armatosur dhe kontrollit të tyre politik, si dhe aksioneve policore, i cili është i nevojshëm që të gjithë të ndihen të sigurt, qoftë në Mbretërinë e Bashkuar apo në ndonjë aleat tjetër të NATO-s. Nuk jam këtu për të komentuar raste individuale. Stabiliteti në rajon mbështetet nga vlerat e përbashkëta në NATO, si dhe nga aftësia për të bashkëpunuar për çështjet e sigurisë. Siguria është pjesë e shoqërisë që ruan stabilitetin e saj dhe ajo duhet të ruhet me rend dhe rregull. Pa marrë parasysh nëse bëhet fjalë për sigurinë kufitare apo veprime policore apo përpjekje të ndryshme të shtetit për të vendosur dhe ruajtur rendin dhe ligjin - kjo është e gjitha pjesë e stabilitetit, që nga ana tjetër është pjesë e besimit dhe prosperitetit të njerëzve në të ardhmen. Mesazhi më i rëndësishëm është besimi i të gjithë qytetarëve në të ardhmen”, theksoi Piç

Në intervistë folëm edhe për korrupsionin dhe pasojat e tij, për rastin më të fundit në Lotarinë Shtetërore, ku bëhet fjalë për korrupsion të lartë, por edhe për efektivitetin e listave të zeza të SHBA-së, që së fundi në të u gjendën ish-zëvendëskryeministri Artan Grubi dhe një prej gjyqtarëve të Apeli.

Korrupsioni përkeqëson sigurinë, thotë Piç dhe shton se pavarësisht se për cilin vend është, ky fenomen cenon vlerat që ne mbrojmë. Ai theksoi se niveli i ulët i besimit në sistemin gjyqësor në vend është shqetësues dhe se përmes Abmasadës britanike do të vazhdojnë të ndihmojnë në drejtim të rritjes së mbizotërimit të ligjit. Ai kujtoi se Britania e Madhe është investitori i dytë më i madh në vend dhe se është në interes të kompanive britanike që të punojnë në një mjedis që nuk inkurajon korrupsionin. 

 

“Qeveria e Shteteve të Bashkuara duhet të marrë vetë vendime për sanksionet, por Mbretëria e Bashkuar do të vazhdojë të mbështesë luftën kundër korrupsionit, jo vetëm këtu, por edhe në rajon. Edhe ne do të marrim masa nëse e gjykojmë të nevojshme. Ekipi ynë këtu në Shkup, në Ambasadë, është duke punuar në një projekt për sundimin e ligjit me zyrtarë të lartë dhe me përfaqësues të Akademisë së Gjyqtarëve për të prezantuar procese të reja dhe për t'i ndihmuar ata të kuptojnë botën. Ne kemi një qasje serioze ndaj antikorrupsionit, si pjesë e sigurimit të stabilitetit dhe prosperitetit për të gjithë qytetarët”, thotë Piç.

Ai thotë se pas fitores së Donald Trampit në zgjedhjet presidenciale në SHBA, Mbretëria e Bashkuar do të vazhdojë të investojë në marrëdhëniet me SHBA-në, të cilat i cilësoi si veçanërisht të ngushta, ndërsa për deklaratat e Trampit se mund t'i japë fund konfliktit në Ukrainë për 24 orë, ai tha se nuk mund të spekulonte mbi politikat e tij, por vuri në dukje se është e nevojshme të kuptohen pasojat për njerëzimin e luftës në Ukrainë, si dhe konfliktit në Lindjen e Mesme. 

Lidhur me negociatat e paqes këtë dimër, të cilat u njoftuan nga kryeministri polak Donald Tusk, vendi i të cilit do të kryesojë BE-në nga 1 janari, ai tha se ato janë të mundshme dhe shtoi se zyrtarët e lartë ushtarakë janë gjithmonë të gatshëm të flasin për paqen. Ai theksoi bashkëpunimin në kuadër të Aleancës së NATO-s dhe përgëzoi ish-ministren e Mbrojtjes Radmila Shekerinska për zgjedhjen e saj në postin e zëvendëse e sekretarit të përgjithshëm të NATO-s. 

“Mendoj se mesazhi është i thjeshtë - ne duhet të punojmë me partnerët tanë, përfshirë Maqedoninë e Veriut si aleate në NATO dhe të jemi të gatshëm të përballemi me këtë botë të rrezikshme. Dua të përgëzoj veçanërisht ish-ministren e Mbrojtjes, e cila është emëruar zëvendëse e sekretarit të përgjithshëm të NATO-s. Kjo është koha kur ne duhet të punojmë së bashku për sigurinë kolektive”, theksoi Piç. 

Lidhur me ndikimin që do të kishin ato negociata të paqes në rajon, si dhe pasojat e vazhdimit të konfliktit në të, Pich thekson se mbrojtja e Maqedonisë së Veriut në kuadër të Aleancës dhe mbrojtja e Mbretërisë së Bashkuar fillon në Ukrainë. 

 

 

“Presidenti Putin zgjodhi të nisë një luftë të paligjshme, e cila është një shkelje serioze e ligjit ndërkombëtar dhe Kartës së KB-së. Ne jemi të bashkuar si në Aleancë ashtu edhe në vlerat tona. Nuk duhet të lejojmë që presidenti Putin të ketë sukses. Mbretëria e Bashkuar vazhdon të dërgojë ndihmë ushtarake për ukrainasit dhe mbështetje të tjera diplomatike, financiare dhe politike. Ne gjithashtu qëndrojmë për vlerat që lidhen me shtetin e së drejtës. Kjo është arsyeja pse ne mbështesim një gjykatë speciale për krimet e luftës. Sanksionet nën të cilat ndodhet Rusia janë të rëndësishme. Ato mund të mos jenë të rëndësishme për jetën e përditshme, por janë të rëndësishme për t'i treguar Rusisë se çfarë ndodh kur ju shkelni ligjin ndërkombëtar dhe bëni një luftë të paligjshme. Mesazhi im është i thjeshtë – ne duhet ta ndihmojmë Ukrainën të mbrohet, duhet të vazhdojmë ta ndihmojmë atë dhe të sigurojmë që ukrainasit të kenë një të ardhme të ndritur”, thotë Piç

Lidhur me zhvillimet e fundit në Siri, pas rënies së regjimit të Bashar al-Asad dhe ndikimin e tyre në Lindjen e Mesme dhe globalisht, Piç thotë se është shumë herët të thuhet se çfarë do të ndodhë.

 “Duhet të jemi të kujdesshëm dhe të mos spekulojmë. Është një vend i rëndësishëm në zemër të Lindjes së Mesme dhe populli i Sirisë ka duruar vuajtje të mëdha gjatë një lufte civile për më shumë se dhjetë vjet dhe shumë qytetarë janë zhvendosur. Ata të gjithë do të vëzhgojnë nga afër se çfarë po ndodh në vendin e tyre dhe është në dorën e tyre të vendosin. Mbretëria e Bashkuar do të bëjë gjithashtu çmos për të dërguar mbështetje për përpjekjet humanitare përmes KB-së dhe në përputhje me temën e intervistës sonë, për të vendosur vlerat tona. Nëse kam një mesazh, është se në këtë botë të rrezikshme, ne duhet të sigurojmë që të ketë stabilitet për të gjithë qytetarët në Maqedoninë e Veriut, pavarësisht nga mosha dhe pavarësisht nga e ardhmja që do të keni. Ne kemi të njëjtin mesazh në Mretërinë e Bashkuar, ne jemi më të fortë së bashku përmes miqësive tona. Ne do të vazhdojmë të punojmë me sukses në nivel bilateral ndërmjet Mbretërisë së Bashkuar dhe Maqedonisë së Veriut dhe do të vazhdojmë të ndërtojmë një partneritet më të forte”, theksoi Stjuart Piç në intervistën për MIA-n.

Vijon Video intervista me përfaqësuesin special britanik për Ballkanin Perëndimor, Lord Stjuart Piç.

 Ana Cvetkovska

Foto: Frosina Naskoviq

Video dhe montazhi: Asllan Vishko dhe Vladimir Rabasoviq

 

QËNDRONI TË LIDHUR