• e enjte, 04 dhjetor 2025

Skrining i popullatës në Trubarevë dhe rrethinë sot dhe nesër

Skrining i popullatës në Trubarevë dhe rrethinë sot dhe nesër

Shkup, 24 shtator 2025 (MIA) - Ministria e Shëndetësisë, në bashkëpunim me Klinikën universitare për pulmologji dhe alergologji, organizon skrining dyditor të popullatës në Trubarevë, pas zjarrit të kohëmëparshëm në objektin për mbeturina elektronike. Skriningu do të realizohet sot dhe nesër, 24 dhe 25 shtator, informuan dje në video deklaratë për MIA-n, ministri Azir Aliu dhe drejtori i Klinikës, Oliver Zafirovski.

"Skriningun do ta kryejnë dy ekipe nga Klinika për pulmologji  me dy auto-ambulanca. Kontrollet janë për të gjithë të interesuarit nga Trubareva dhe nga vendbanimet përreth, ndërkaq posaçërisht për personat të cilët ndjejnë vështirësi gjatë frymëmarrjes apo kanë simptoma të cilat tregojnë ndonjë sëmundje në rrugët e frymëmarrjes", sqaroi Aliu.

Është paraparë skriningu të përfshijë: kontroll të plotë klinik, spirometri, EKG dhe kontrolle të tjera të nevojshme.

"Qëllimi ynë është të sigurojmë kujdes të lartë shëndetësor për të gjithë qytetarët. Nëse paraqitet nevoja për hulumtime shtesë, ato do të bëhen në vendin e ngjarjes ose pacientët do të udhëzohen në Klinikën për pulmologji", sqaroi ministri Aliu.

Me këtë aksion, siç theksoi ministri, mundësohet detektimi me kohë i simptomave të mundshëm tek popullata, me qëllim të sigurimit të mbrojtjes së nevojshme shëndetësore.

Zafirovski tha se ka filluar një aksion i bukur dhe se shëndeti i qytetarëve është para së gjithash.

Siç u sqarua, automjetet do të sistemohen afër marketeve "Brend" dhe "Florida". ab/

Foto dhe video: МIА

QËNDRONI TË LIDHUR