• e hënë, 23 dhjetor 2024

Shqipëria nënshkroi memorandum për bashkëpunim me Azerbajxhanin për gazifikimin e qarkores në Korçë

Shqipëria nënshkroi memorandum për bashkëpunim me Azerbajxhanin për gazifikimin e qarkores në Korçë

Tiranë, 13 nëntor 2024 (MIA) - Shqipëria dhe Azerbajxhani nënshkruan memorandum bashkëpunimi për gazifikimin e Korçës, që do të vazhdojë në Podgradec dhe Ersek, e më pas edhe në qytete të tjera.

Marrëveshja u nënshkrua në Baku në prani të presidentit të Azerbajxhanit, Ilham Aliev dhe kryeministrit shqiptar, Edi Rama, i cili merr pjesë në Konferencën e 29-të të palëve të Konventës së Kombeve të Bashkuara për Ndryshime Klimatike (COP29).

Zëvendëskryeministrja dhe ministrja e Infrastrukturës dhe Energjetikës, Belinda Balluku, pas nënshkrimit, për mediat shqiptare, deklaroi se zbatimi i projektit fillon në vitin 2025 dhe synimi është gazifikimi i të gjithë territorit të vendit.

"Ky është një lajm shumë i mirë , i cili është ngjizur prej kohësh midis Albgazit dhe SOCAR, por tashmë po bëhet realitet. Planet tona janë që të nisim sa më parë nga puna, duke nisur me pjesën inxhinierike. Parashikohet që puna të nisë në 2025 për të përfunduar në 2027. Synojmë të krijojmë një rrjet të tërë shpërndarjeje që të mbulojë të gjithë qytetin, por edhe në bizneset e qytetit", deklaroi Balluku.

Sipas ministres, projektet për gazifikimin e vendit do të vazhdojnë deri në vitin 2030.

"Sa më shumë të rritet plani për gazifikimin e Shqipërisë, aq më shumë ulen kostot. Në fillim, shteti do ta mbështesë këtë procedurë të re, këtë produkt të ri, duke e zgjeruar më pas edhe në zonën e Pogradecit dhe Ersekës. Ne parashikojmë që ky gazifikim i vendit të vazhdojë deri në vitin 2030, duke mbuluar pjesën më të madhe të qyteteve, të cilat kanë edhe pjesë industriale", paralajmëroi Balluku.

Ajo shtoi se Shqipëria është e angazhuar në mbrojtjen e mjedisit jetësor dhe synimi është që të mos përdoret më dru zjarri për ngrohje. rq/

Foto: Balluku FB

QËNDRONI TË LIDHUR