• e martë, 25 mars 2025

SHH "Drita"-Dibër, me rastin e festës së Fitër Bajramit, 54 fëmijëve pa prindër u ndanë vauçrë për veshje dhe këpucë

SHH

Dibër, 25 mars 2025 (MIA) -  Shoqata Humanitare Dibrane “Drita”, në prag të festës së madhe myslimane Fitër Bajrami, ndau vauçerë për 54 fëmijë pa prindër, në vlerë prej 4 mijë denarë për blerje të veshjeve dhe këpucëve.

"Janë përfshirë fëmijë nga qyteti, si dhe vendbanimet rurale nga Dibra dhe dy komunat fqinje, Qendër Zhupa dhe Mavrova dhe Rostushe, si fshatrat Mogorçe, Kosovrast i Epërm dhe i Poshtëm, Skudrinjë, Novak dhe Qendër Zhupa, si dhe fshatra të tjera. Fëmijët morën vauçerë prej 2500 denarë për veshje dhe 1500 denarë për këpucë, të cilat do t'i blejnë sipas dëshirës së tyre. Gjithashtu secilit prej këtyre 54 fëmijëve iu dhanë edhe nga 2000 denarë në zarf, deklaroi për MIA-n Nertil Osmani, kryetar i shoqatës.

 

Gjatë muajit të shenjtë të Ramazanit, të gjithë këtyre u janë shpërndarë pako me produkte ushqimore dhe higjienike, në vlerë prej nga 5000 denarë, ndërsa çdo ditë për iftar marrin ushqim të përgatitut dhe bukë.

Me ndihmën humanitare në qytet janë përfshirë edhe 190 familje të cilat janë në situatë më të vështirë social-ekonomike, persona me aftësi të kufizuara, të sëmurë rëndë, të pamundru dhe persona që jetojnë vetëm, ndërsa përveç pakove ushqimore dhe higjienike, sigurohen edhe ilaçet e nevojshme për ata që janë në gjendje më të vështirë, gjatë gjithë vitit. 

Të gjitha këto, sipas Osmanit, nuk do të kishin mundur t'i realizonin pa donacione nga banorët vendas, por edhe nga mërgimtarët, për çka shprehin mirënjohje të madhe. ls/

Foto: SHH "Drita"

 

QËNDRONI TË LIDHUR