SHBA-ja në KB e paralajmëroi Izraelin se nuk duhet të ketë zhvendosje të detyrueshme ose uri në Gazë
- – SHBA-ja dhe Kombet e Bashkuara theksuan se Izraeli nuk duhet të zbatojë “politikë të zhvendosjes së detyrueshme ose urisë në Gazë”, duke paralajmëruar se politika e tillë do të ketë pasoja serioze sipas të drejtës amerikane dhe ndërkombëtare.
- Post By Fitore Curri
- 08:11, 13 nëntor, 2024
Nju – Jork, 13 nëntor 2024 (MIA) – SHBA-ja dhe Kombet e Bashkuara theksuan se Izraeli nuk duhet të zbatojë “politikë të zhvendosjes së detyrueshme ose urisë në Gazë”, duke paralajmëruar se politika e tillë do të ketë pasoja serioze sipas të drejtës amerikane dhe ndërkombëtare.
Vërejtjet e ambasadores amerikane në KB, Linda Tomas – Grinfilld erdhën vetëm disa orë pasi Uashingtoni njoftoi se Izraeli bën mjaftueshëm që të përballet me krizën humanitare në Gazë që të shmangë kufizime potenciale të ndihmës ushtarake amerikane.
“Megjithatë, Izraeli duhet të kujdeset që aktivitetet e tij të zbatohen plotësisht dhe se përmirësimet janë të qëndrueshme me kalimin e kohës”, tha Tomas – Grinfilld para Këshillit të Sigurisë së KB-së.
Ajo, gjithashtu, shtoi se ekziston nevojë urgjente që Izraeli ta ndërpresë zbatimin e ligjit me të cilin ndalohet puna e Agjencisë së Kombeve të Bashkuara për Ndihmë dhe Punë për Refugjatët Palestinezë.
Këshilli u takua pas raportit të ekspertëve të huaj për urinë, në të cilin thuhet se ekziston “gjasë e madhe se uria është e pashmangshme në zona” në veri të Gazës derisa Izraeli zbaton ofensivë ushtarake kundër grupit militant palestinez Hamas në rajon.
“Pjesa më e madhe e Gazës tani është shkretëtirë nga rrënojat”, deklaroi para Këshillit të Sigurisë, ushtruesi i detyrës shefja e Zyrës së KB-së për koordinim të çështjeve humanitare, Xhojs Msuja.
“Siç ju informova, autoritetet izraelite e bllokojnë hyrjen e ndihmës humanitare në pjesën veriore të Gazës, ku luftërat vazhdojnë dhe rreth 75.000 njerëz janë me rezerva të ulura të ushqimit dhe ujit”, tha ajo. fc/
Fotografia: Arkivi i MIA-s