Samiti i Londrës: Një hap para me shumë premtime, por pak përgjigje konkrete
- Edhe pas episodit traumatik të së premtes në Shtëpinë e Bardhë, evropianët duket se ende nuk janë të gatshëm të pranojnë realitetin e ri transatlantik dhe në vend që të ecin përpara pa presidentin e SHBA-së, Donald Tramp, ata po humbin kohën e çmuar të Ukrainës duke pritur Uashingtonin, vlerësojnë analistët e lajmeve në Bruksel rreth përmbledhjes së takimit të djeshëm të liderëve evropianë në Londër.
- Post By Fami Bajrami
- 11:27, 3 mars, 2025

Bruksel, 3 mars 2025 (MIA) - Edhe pas episodit traumatik të së premtes në Shtëpinë e Bardhë, evropianët duket se ende nuk janë të gatshëm të pranojnë realitetin e ri transatlantik dhe në vend që të ecin përpara pa presidentin e SHBA-së, Donald Tramp, ata po humbin kohën e çmuar të Ukrainës duke pritur Uashingtonin, vlerësojnë analistët e lajmeve në Bruksel rreth përmbledhjes së takimit të djeshëm të liderëve evropianë në Londër.
Pavarësisht mbështetjes së shprehur për Ukrainën, sipas këtyre analizave, disa liderë evropianë i kanë sinjalizuar Kievit se së pari do të riparonin marrëdhëniet me Uashingtonin se sa të vazhdojnë pa SHBA-në. Në komentet vlerësohet se liderët evropianë kanë dhënë shumë premtime, por pak përgjigje konkrete.
Një diplomat evropian vlerësoi pas takimit se ekziston pajtueshmëri për rëndësinë e vazhdimit të bashkëpunimit të ngushtë me SHBA-në në kuadër të NATO-s, si dhe se kontributet e ardhshme evropiane për garanci shtesë të sigurisë duhet të harmonizohen me SHBA-në.
Në prag të takimit, nikoqiri i tij, kryeministri britanik Kir Starmer dhe sekretari i përgjithshëm i NATO-s Mark Rute u përpoqën të bindin presidentin ukrainas Volodimir Zelenski të gjejë një mënyrë për të "rivendosur" marrëdhëniet me administratën amerikane, pavarësisht mesazheve të qarta të Trampit se nuk dëshiron që Ukraina të vazhdojë të luftojë.
Starmer ka thënë se ka folur me Trampin përpara samitit për të koordinuar propozimet e tij, duke thënë se Evropa "duhet të marrë përsipër ngarkesën e rëndë", por se përpjekje të tilla "duhet të kenë mbështetje të fortë nga SHBA-ja".
Sipas tij, SHBA është ende një "aleat i sigurt" i Evropës dhe se evropianët pajtohen me Trampin për nevojën urgjente për paqe të qëndrueshme, kështu që "duhet së bashku të reflektojnë".
Starmer ka thënë poashtu se "një numër i madh vendesh" kanë shprehur dëshirën për të ofruar garanci të sigurisë për Ukrainën nëse arrihet armëpushim, duke paralajmëruar se Britania dhe Franca do të punojnë me Kievin për të përgatitur një plan paqeje i cili do t'i prezantohet Trampit. Konform kësaj është edhe ideja e mbështetur nga presidenti francez Makron për shpalljen e një armëpushimi njëmujor në Ukrainë.
Për momentin, sipas analizës së "Politikos", është ende e paqartë se si Evropa do ta bind presidentin rus Vlladimir Putin të ulet në tryezë për të negociuar planin e tyre të mundshëm të paqes, veçanërisht pasi Moska të jetë më e prirur drejt një qasje të udhëhequr nga Shtëpia e Bardhë.
Pas takimit të djeshëm në Londër, kryetari i Këshillit të Evropës Antonio Koshta deklaroi se diskutimet kanë qenë "të dobishme dhe të rëndësishme" në prag të samitit të posaçëm të BE-së të enjten, në të cilin, sipas tij, liderët "duhet të jenë të gatshëm të sjellin vendime". Kjo mbështetet edhe nga deklarata e kryetares së Komisionit Evropian, Ursula fon der Lajen e cila paralajmëroi se të enjten në Samit do të prezantojë “plan gjithëpërfshirës” për mbrojtjen.
Me këtë, ndryshe nga dy mbledhjet e mëparshme në një format të ngjashëm, ai i organizuar nga Makroni më 17 shkurt në Paris dhe takimi onlajn i liderëve të mbajtur disa ditë më vonë, nga i cili nuk doli asnjë plan konkret, sipas "Euraktiv", duket se në Londër të paktën është bërë hapi i parë përpara pas disa javëve të fundit mosveprimi.
Por në këtë situatë, Evropa vuan nga mungesa e lidershipit, pa një zë të qartë dhe krijohet përshtypja se evropianët nuk duan të vazhdojnë të vetëm pa SHBA-në.
Në këtë rrafsh më larg ka shkuar përfaqësuesja e lartë e BE-së për punë të jashtme dhe politike të sigurisë, Kaja Kallas, duke thënë se “botës së lirë i duhet një lider i ri” dhe se evropianët duhet t’i përvishen kësaj sfide.
Sipas analistëve, Gjermania e cila gjatë administratës së mëparshme të Trampit nën udhëheqjen e kancelares së atëhershme Angela Merkel konsiderohej si lidere evropiane, këtë herë nuk është në një pozicion të tillë, të paktën jo derisa të formohet qeveria e re në Berlin.
Foto: arkivi i MIA-s