Programi Botëror për Ushqim i KB-së mbyll zyrën rajonale në Afrikën jugore
- Programi Botëror për Ushqim i Kombeve të Bashkuara (VFP), i cili një pjesë të madhe të financimit e merr nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, po mbyll zyrën e tij rajonale në Afrikën jugore.
- Post By Sara Ademi
- 18:00, 3 mars, 2025

Johanesburg, 3 mars 2025 (MIA) – Programi Botëror për Ushqim i Kombeve të Bashkuara (VFP), i cili një pjesë të madhe të financimit e merr nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, po mbyll zyrën e tij rajonale në Afrikën jugore.
Vendimi iu njoftua stafit në mbarë botën në një email të dërguar të premten nga Drejtoresha Ekzekutive e VFP, Sindi Mekejn.
"Ne kemi marrë vendimin e vështirë për të mbyllur zyrën rajonale për Afrikën e Jugut në Johanesburg”, thuhet në email.
Një përfaqësues zyrtar i Programit Botëror për Ushqim e konfirmoi lajmin për disa agjenci botërore, por nuk iu përgjigj pyetjeve se pse apo nëse kishte ndonjë lidhje me shkurtimet e ndihmës së huaj amerikane të urdhëruar nga Donald Tramp.
Afrika Jugore vazhdon të përballet me thatësirën e saj më të madhe në vite, duke bërë që vendet përfshirë Malavinë, Zambinë, Zimbabve dhe Namibinë të shpallin një fatkeqësi kombëtare.
VFP siguron ushqim dhe ndihmë në para për të prekurit dhe synon të arrijë më shumë se 7.2 milion njerëz deri në këtë muaj, citohet në ueb faqen e saj të internetit. sa/
foto: Programi Botëror për Ushqim