Samit special i BE-së kushtuar Ukrainës dhe mbrojtjes evropiane
- Mbështetja e vazhdueshme për Ukrainën dhe mbrojtjen evropiane do të jenë temat kryesore të takimit të posaçëm të sotëm të Këshillit Evropian në Bruksel, në të cilin është ftuar të marrë pjesë edhe presidenti ukrainas Volodimir Zelenski.
- Post By Lindita Sulejmani
- 08:14, 6 mars, 2025

Bruksel, 6 mars 2025 (MIA) - Mbështetja e vazhdueshme për Ukrainën dhe mbrojtjen evropiane do të jenë temat kryesore të takimit të posaçëm të sotëm të Këshillit Evropian në Bruksel, në të cilin është ftuar të marrë pjesë edhe presidenti ukrainas Volodimir Zelenski.
Siç kumtoi Këshilli Evropian në një moment lidhur me situatën në Ukrainën, krerët e shtetëve ose qeverive të vendeve anëtare të BE-së do të diskutojnë se si Unionit mund të mbështesë më tej vendin dhe parimet që duhet të respektohen në të ardhmen,
Në ftesën drejtuar liderëve të vendeve të BE-së për të marrë pjesë në Samit, kryetari i Këshillit Evropian, Antonio Koshta tha se Unioni dhe anëtarët e tij janë të gatshëm të marrin përgjegjësi më të mëdha për sigurinë e Evropës.
"Prandaj duhet të jemi të përgatitur për një kontribut të mundshëm evropian në garancitë e sigurisë që do të jenë të nevojshme për të siguruar paqen e qëndrueshme në Ukrainë", theksoi Koshta.
Që nga fillimi i agresionit rus, BE-ja dhe vendet e saj anëtare kanë siguruar pothuajse 135 miliardë euro ndihmë për Ukrainën dhe popullin ukrainas, duke përfshirë 48,7 miliardë euro në mbështetje të forcave të armatosura të Ukrainës.
Në Samitin do të diskutohet edhe për mbrojtjen evropiane, si vazhdimësi e diskutimeve të nisura në takimin e jashtëzakonshëm të liderëve të BE-së më 3 shkurt, në të cilin u diskutua për forcimin e aftësve kolektive të mbrojtjes, financimit të mbrojtjes dhe partneritetet strategjike.
“Duke u lidhur në atë diskutim dhe duke pasur parasysh urgjencën e situatës në Ukrainë, liderët do të synojnë të marrin vendimet e para që do ta ndihmojnë Evropën të bëhet më sovrane, më e aftë dhe më e pajisur për t'u përballur me sfidat aktuale dhe të ardhshme të sigurisë”, theksohet në paralajmërimin e Këshillit të posaçëm Evropian.
Vendet anëtare të BE-së deri më tani në disa raste kanë paralajmëruar përkushtim në përcaktimin për rritjen e shpenzimeve të mbrojtjes dhe tashmë kanë ndërmarrë veprime të caktuara në këtë drejtim.
"Ndërmjet vitit 2021 dhe 2024, shpenzimet totale për mbrojtje të shteteve anëtare u rritën për më shumë se 30 për qind në rreth 326 miliardë euro, që është afërsisht 1,9 për qind e PBB-së së BE-së, shtohet në paralajmërimin.
Në prag të Samitit, kryetarja e Komisionit Evropian Ursula fon der Lajen prezantoi të martën një Plan për riarmatim të Evropës, i cili parashikon krijimin e një Fondi që mund të mobilizojë afro 800 miliardë euro për investimet e mbrojtjes në BE, si dhe për ndihmën ushtarake për Ukrainën.
"Evropa është e gatshme të marrë përgjegjësinë e saj. Plani "Riarmatimi i Evropës" mund të mobilizojë afrë 800 miliardë euro për një Evropë të sigurt dhe të përshtatshme. Do të vazhdojmë të punojmë ngushtë me partnerët tanë të NATO-s. Ky është një moment për Evropën. Dhe ne jemi gati të përforcohemi", tha Fon der Lajen gjatë prezantimit të Planit.
Ajo theksoi se plani përmban një sërë propozimesh se si BE-ja mund të përdorë të gjitha levat financiare që ka në dispozicion, në mënyrë që të ndihmojë vendet anëtare të rrisin shpejt dhe ndjeshëm shpenzimet për aftësitë e mbrojtjes tani, por edhe në afat më të gjatë gjatë gjithë kësaj dekade.
"Jetojmë në kohët më domethënëse dhe më të rrezikshme. Nuk kam nevojë të përshkruaj natyrën e tmerrshme të kërcënimeve me të cilat përballemi ose pasojat shkatërruese me të cilat do të përballemi nëse këto kërcënime bëhen të vërteta. Sepse pyetja nuk është më nëse siguria e Evropës kërcënohet në një mënyrë shumë reale apo nëse Evropa duhet të marrë më shumë përgjegjësi për sigurinë e saj? Të them të vërtetën, ne i kemi ditur përgjigjet e këtyre pyetjeve për një kohë të gjatë," thekson Fon der Lajen në një letër drejtuar liderëve të BE-së, në të cilën ajo ua prezantoi atyre përmbajtjen e Planit.
Plani përbëhet nga pesë pjesë, të cilat parashikojnë rritje të financimit publik për mbrojtjen në nivel kombëtar, krijimin e një Instrumenti të ri përmes të cilit do t'u jepen shteteve anëtare 150 miliardë euro kredi për investime të përbashkëta në mbrojtje, përdorimin e mjeteve nga buxheti i BE-së në afat të shkurtër për investime të lidhura me mbrojtjen, mobilizimin e kapitalit privat për investime në nevojat e mbrojtjes, si dhe përfshirjen e Bankës Evropiane të Investimeve (BEI) në sigurimin e mjeteve për forcimin e mbrojtjes.
"Pa dyshim, ne të gjithë duam paqe të qëndrueshme, por një paqe e tillë mund të arrihet vetëm përmes fuqizimit. Ne duhet të fillojmë duke forcuar veten së pari. Ky është edhe qëllimi i planit që unë do t'ua paraqes vendeve anëtare nesër”, tha Fon der Lajen. ls/
Foto: Arkivi i MIA-s