Rubio: Paqja në Ukrainë varet nga takimi i drejtpërdrejtë mes Trampit dhe Putinit
- – Sekretari shtetëror amerikan Marko Rubio deklaroi mbrëmë se marrëveshja për armëpushim mes Ukrainës dhe Rusisë mund të arrihet vetëm përmes bisedimeve të drejtpërdrejta mes presidentit amerikan Donald Tramp dhe presidentit rus Vladimir Putin, informon DPA.
- Post By Fitore Curri
- 09:57, 16 maj, 2025

Uashington, 16 maj 2025 (MIA) – Sekretari shtetëror amerikan Marko Rubio deklaroi mbrëmë se marrëveshja për armëpushim mes Ukrainës dhe Rusisë mund të arrihet vetëm përmes bisedimeve të drejtpërdrejta mes presidentit amerikan Donald Tramp dhe presidentit rus Vladimir Putin, informon DPA.
Duke folur para bisedimeve të sotme të planifikuara mes delegacionit ukrainas dhe rus në Turqi, Rubio për “Foks njuz” deklaroi se mënyra e vetme që të arrihet përparim është që Trampi dhe Putini të ulen në tavolinë përballë njëri – tjetrit.
“Ende nuk e di datën ose vendin e atij takimi, por ajo është me të vërtetë mundësia e vetme në këtë moment”, tha ai.
Edhe presidenti Tramp paraprakisht dje dha vërejtje të ngjashme, duke sugjeruar se ndoshta do të udhëtojë në Turqi në afat të shkurt nëse bisedimet e arsyetojnë këtë.
“Nëse ndodh diçka, do të shkoja të premten nëse është e nevojshme”, tha ai.
Pritet që Rusia sot t’i fillojë bisedimet me delegacionin ukrainas për përfundim eventual të pushtimit të saj.
Kryenegociatori i Moskës, Vladimir Medinski, për mediat ruse, deklaroi sot se delegacioni i tij e pret në bisedime palën ukrainase në orën 10 sipas kohës së Stambollit. fc/
Foto: Arkivi i MIA-s