• e premte, 05 dhjetor 2025

Rubio dënon thirrjet iraniane për ekzekutimin e shefit të ANEB-it, Grosi

Rubio dënon thirrjet iraniane për ekzekutimin e shefit të ANEB-it, Grosi

Berlin, 29 qershor 2025 (MIA) - Sekretari amerikan i shtetit, Marko Rubio e quajti "të papranueshme" thirrjen e një gazete iraniane për dënimin me vdekje për shefin e Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë Bërthamore (ANEB), Rafael Grosi.

"Thirrjet në Iran për arrestimin dhe ekzekutimin e drejtorit të përgjithshëm të ANEB-it, Grosi janë të papranueshme dhe duhen dënuar. Ne mbështesim përpjekjet kritike të ANEB-it për të verifikuar dhe monitoruar situatën në Iran", shkroi Rubio mbrëmë vonë në platformën Iks.

Ai lavdëroi Grosin dhe ANEB-in për përkushtimin dhe profesionalizmin e tyre dhe i bëri thirrje Iranit të kujdeset për sigurinë e personelit të ANEB-it.

E përditshmja e Teheranit "Kajhan" e akuzoi Grosin për spiunazh për Izraelin. Gazeta konsiderohet si një medium propagandues qeveritar dhe kryeredaktori i saj, Hosein Shariatmadari përshkruhet si një islamist radikal.

Autoritetet iraniane e kanë cituar raportin e fundit të ANEB-it si një nga arsyet e sulmeve ajrore izraelite dhe amerikane që synojnë programin bërthamor dhe ushtrinë e Teheranit në luftën 12-ditore në fillim të këtij muaji.

ANEB me seli në Vjenë, në një rezolutë formale pretendoi se Teherani ka shkelur detyrimet e tij për të hapur gjithë programin e tij bërthamor për inspektimin e ANEB. Rezoluta erdhi pas refuzimit të Teheranit për të shpjeguar aktivitetet bërthamore të kryera në fshehtësi në të kaluarën.

Sipas ANEB-it, Irani ka më shumë se 400 kilogramë uranium të pasur deri 60 për qind, që është disa hapa më pak se 90 përqindëshi i nevojshëm për armë bërthamore dhe shumë më tepër se sa nevojitet për qëllime civile.

Teherani këmbëngul se nuk ka për qëllim të ndërtojë armë bërthamore.

Foto: arkivi i MIA-s

QËNDRONI TË LIDHUR