• e premte, 31 janar 2025

Rekomandimet e OBSH-së: Integrim të klinikave universitare, jo vetëm unifikim administrativ

Rekomandimet e OBSH-së: Integrim të klinikave universitare, jo vetëm unifikim administrativ

Shkup, 30 janar 2025 (MIA) - Mungesë e punonjësve shëndetësor, veçanërisht në zonat e specializuara, shumë spitale në vend nuk kanë infrastrukturën e nevojshme për të ofruar shërbime moderne shëndetësore, pajisje të vjetruara, ndërsa aty ku ka pajisje, nuk ka staf për ta përdorur atë. Këto janë vetëm disa nga gjetjet e misionit të Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH) për hulumtimin e sektorit spitalor në Maqedoninë e Veriut të kryer në mars të vitit 2024. Gjetjet kryesore dhe rekomandimet nga ekspertët u prezantuan sot në Shkup nga dr. Jana Marin, konsulente e OBSH-së.

Sa i përket menaxhimit të spitaleve është konstatuar se menaxhimi është shpesh nën ndikimin politik. Këto emërime politike të drejtorëve shumë shpesh janë shoqëruar me mungesën e një kornize të përcaktuar qartë të përgjegjësisë.

"Në Misionin morën pjesë pesë ekspertë ndërkombëtar të udhëhequr nga Zyra e OBSH-së për Evropë të cilët ishin këtu me qëllim vlerësimin e sfidave me të cilat përballen spitalet, si dhe vlerësimin e mundësive për përmirësimin e sektorit spitalor dhe harmonizimin me standardet evropiane dhe ndërkombëtare. Ndër objektivat e tjera të misionit, kanë qenë zhvillimi i një vizioni të unifikuar për sektorin spitalor në Maqedoni, të identifikohen nevojat për ngritjen e kapaciteteve dhe asistencës teknike në vend si dhe të promovohet integrimi i shërbimeve sipas modeleve të reja të kujdesit, ku pacienti do të jetë në qendër të sistemit të kujdesit shëndetësor. Metodologjia që është përdorur kanë qenë takime me drejtorët e spitaleve dhe institucioneve, aktorë kryesorë në sistem, vizita në terren në spitale dhe klinika, konsultime me ekspertë ndërkombëtar dhe në fund është realizuar një seminar për dialog me Ministrinë e Shëndetësisë për krijimin e politikave shëndetësore", ka thënë Marin.

Observimi i parë i përgjithshëm ka qenë se në vend ka një numër shumë të madh spitalesh dhe se sektori spitalor është i fragmentuar.

"Ne kemi, varësisht si i numërojmë, rreth 70 spitale në 1.8 milionë banorë. Shumë prej tyre janë të pashfrytëzuara dhe te një pjesë e madhe e tyre shërbimet shëndetësore janë joracionale", ka thënë Marin.

Një nga rekomandimet e ekspertëve është të bëhet integrimi i klinikave universitare në një sistem të vetëm të koordinuar për shfrytëzim dhe optimizim më të mirë të resurseve.

"Këtu dua të theksoj se rekomandimi i referohet integrimit të klinikave dhe jo thjesht unifikimit administrativ në një person juridik", nënvizoi ajo.

Dr. Akim Ali, përfaqësues i OBSH-së në vend, tha se konsultimi i parë kombëtar për reformën spitalore në Maqedoninë e Veriut, që mbahet sot është një ngjarje shumë e rëndësishme. Sipas tij, kjo paraqet një moment historik në rrugën drejt shëndetësisë më të mirë dhe efikase në vend.

Sipas ministrit të Shëndetësisë, Arben Taravari, reforma në sektorin spitalor në vend është prioritet strategjik dhe detyrim moral ndaj qytetarëve.

"Vizioni ynë është një sistem shëndetësor më efikas dhe më i përgjegjshëm. Konsultimi i sotëm është një hap i rëndësishëm në këtë proces, duke shërbyer si një platformë për bashkëpunim dhe transparencë. Organizata Botërore e Shëndetësisë dhe Bashkimi Evropian na kanë dhënë një vizion të qartë për modernizimin dhe transformimin e sektorit spitalor. Politikat aktuale njohin nevojën për ndryshim në prioritetet shëndetësore drejt promovimit të shëndetit dhe parandalimit të sëmundjeve. Analizat tregojnë se plakja e popullsisë dhe ndryshimet në stilin e jetës kërkojnë optimizimin e resurseve", ka thënë Taravari.

Siç theksoi, sipas raportit të FSSH për vitin 2023, pjesa më e madhe e shpenzimeve publike destinohen drejt kujdesit dytësor dhe terciar.

"Gjysma e shtretërve spitalor janë në Shkup, gjë që krijon shpërndarje të pabarabartë dhe sfida për rajonet me qasje të kufizuar. Ka dallime të konsiderueshme në përdorimin e shtretërve spitalor, ku vetëm një numër i vogël arrijnë shfrytëzimin optimal prej 80 deri në 85 për qind, ndërsa shumica kanë shfrytëzim prej 30 deri në 50 për qind. Kjo tregon nevojën për racionalizim dhe ndarje më të mirë funksionale", ka thënë Taravari.

Ai tha se e ardhmja e spitaleve do të formësohet nëpërmjet modernizimit të infrastrukturës, financimit të reformës dhe integrimit të shërbimeve. Siç shtoi ministri, Evropa tashmë po zbaton modele të integruara që lidhin mbrojtjen shëndetësore primare, sekondare dhe terciare, me qëllim eliminimin e barrierave të panevojshme dhe dyfishimin e resurseve.

Foto dhe video: MIA

 

 

 

 

QËNDRONI TË LIDHUR