• e martë, 12 nëntor 2024

Rebelimi i Prigozhinit e hap dilemën nëse Putini mund ta humb pushtetin

Rebelimi i Prigozhinit e hap dilemën nëse Putini mund ta humb pushtetin

27 qershor 2023

Njujork Tajms

A është minuar autoriteti i presidentit rus Vladimir Putin dhe nëse revolta në regji të ushtrisë mercenare "Vagner" nga fundjava e kaluar ngrit dilemën nëse ai mund ta humb pushtetin?!

Kjo është pyetja që e shtron Anton Trojanovski në një artikull të gazetës “Njujork Tajms”, duke analizuar ngjarjet e fundit në Rusi që për pak do çonin drejt hyrjes së anëtarëve të “Vagnerit” në Moskë dhe përleshje të armatosura në kryeqytetin rus.

Trojanovski shkruan se Putini prej kohësh është paraqitur si garantues i stabilitetit të Rusisë dhe mbrojtës i pakompromis i shtetësisë së saj, por që fundjavën e shkuar stabiliteti rus nuk u gjend askund dhe as Putini i cili pas një deklarate të shkurtër të shtunën në mëngjes, sikur u zhduk gjatë sfidës më dramatike ndaj autoritetit të tij dhe sundimit 23-vjeçar.

Putini doli i dobët

Në mungesë të tij, ai i la rusët të pyesnin se si lideri paraushtarak Jevgenij Prigozhin të shtunën mund të kishte nisur një kryengritje të armatosur që kërcënonte të arrinte në Moskë. Dhe u ngritën dilema të pakëndshme për të ardhmen e presidentit rus - çfarë do të thoshte mossuksesi i tij për të ndaluar një kryengritje për sigurinë e tyre - dhe qëndrimin e tij në pushtet?

Ai është i mendimit se rusët me lidhje me Kremlinin të dielën shprehën lehtësim që rebelimi i Prigozhinit nuk shkaktoi luftë civile. Por njëherësh, ata ranë dakord se Putini duket i dobët në një mënyrë që kjo mund të jetë e përhershme.

Konstantin Remçukov, redaktor i një gazete të Moskës me lidhje të ngushta me Kremlinin në një intervistë telefonike tha se ajo që dikur dukej e paimagjinueshme tani është e mundur – se njerëzit e afërt me Putinin mund të përpiqen ta bindin atë të mos kandidohet në zgjedhjet e ardhshme presidenciale në Rusi.

Me ngjarjet e së shtunës, tha ai, Putini përfundimisht ka humbur statusin e tij si garantues i pasurisë dhe sigurisë së elitës.

"Ideja se Putini është në pushtet dhe siguron stabilitet dhe garanton siguri - pësoi fiasko", tha Remçukov.

Edhe kah mesi i luftës 16-mujore në Ukrainë, publikoi "Njujork Tajms", Kremlini është i fokusuar në normalitetin në shtëpi. Putini iu është kundërvënë thirrjeve të ashpra për shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme ose mbylljen e kufijve të vendit.

Për elitën, thumbimi i sanksioneve perëndimore u neutralizua me mundësitë e reja të biznesit të ekonomisë ushtarake ruse dhe tregut vendas, i çliruar hëpërhë nga konkurrenca e shumë kompanive perëndimore.

Produkt i një sistemi jofunksional

Por sfida e Prigozhinit ndaj autoritetit të Kremlinit këtë fundjavë e përmbysi atë llogari. Lideri i grupit paraushtarak me forcat e tij e mori Komandën ushtarake jugore ruse dhe më pas dërgoi një kolonë trupash në veri të Moskës duke premtuar se do të hynte në kryeqytet.

Kriza u qetësua vonë të shtunën në mbrëmje kur Prigozhini ra dakord të tërheq forcat e tij me marrëveshje që i lejoi atij dhe trupave të tij të shmangin ndjekjen penale.

Ekspertët thonë se Putini duket se e kontrollon shtetin rus më pak se sa dihej më parë.

Një nga aspektet më të çuditshme të krizës ka qenë se pse Putini lejoi që konflikti publik i Prigozhinit me Ministrinë ruse të Mbrojtjes të përshkallëzohej për muaj të tërë pa e zgjidhur atë.

Dy njerëz të afërt me Kremlinin, të cilët u deklaruan në kushte anonimiteti për të diskutuar për tema të ndjeshme politike, e përshkruan krizën si produkt të një sistemi qeverisës jofunksional në prag të kaosit.

Vendimet se si të përballet me rebelimin e Prigozhinit u morën të shtunën, thanë ata, pas disa muajsh në të cilët presidenti dhe rrethi i tij i ngushtë u munduan për të gjetur një mënyrë se si të përballen me liderin e mercenarëve.

foto: arkivi

 

QËNDRONI TË LIDHUR