Rama për protestën në Hagë: Me zemër dhe mendime edhe unë jam atje sot
- Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama reagoi lidhur me protestën që po mbahet pasdite në Hagë, para Gjykatës Speciale, në mbështetje të ish-udhëheqësve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK).
Tiranë, 14 shtator 2025 (MIA) - Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama reagoi lidhur me protestën që po mbahet pasdite në Hagë, para Gjykatës Speciale, në mbështetje të ish-udhëheqësve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK).
Përmes postimit në rrjetet sociale, Rama jep mesazh të qartë për mbështetje për, siç i quan, çlirimtarët.
"Liria ka një emër! Me zemër dhe mendime, jam atje sot, komandant. Liri për çlirimtarët!" ka shkrur Rama.
"Shqiptarët nga Kosova dhe diaspora po protestojnë duke kërkuar drejtësi për ish-udhëheqësit e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Protesta u thirr nga diaspora shqiptare dhe u mbështet nga Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së për shkak të asaj që organizatorët e quajnë padrejtësi që po bëhen në gjyqin e ish-udhëheqësve të UÇK-së", raportuan mediat shqiptare.
Protesta në kryeqytetin holandez po mbahet në një park pranë selisë së Gjykatës Speciale, pavarësisht se policia holandeze nuk dha leje për të.
"Qytetarët të cilët protestojnë pranë Gjykatës së Hagës në mbrojtje të udhëheqësve të UÇK-së u drejtuan drejt ndërtesës për të vendosur pankarta me mesazhe që bënin thirrje për lirimin e ish-luftëtarëve të UÇK-së. Megjithatë, policia holandeze i bllokoi shqiptarët, duke i penguar ata të afroheshin te institucioni i drejtësisë", raporton korrespondenti i Top çanelit.
Ndërkohë, policia ka vendosur edhe një helikopter, duke forcuar kontrollin dhe sigurinë në qytet.
Kjo ngjarje po ndodh një ditë para fillimit të dëshmisë së dëshmitarëve të mbrojtjes në këtë gjykim, në të cilin pritet të dëshmojnë 15 dëshmitarë në dobi të ish-presidentit të Kosovës Hashim Thaçi.
Foto: Rama FB/Printskrin Top çanel