Rada ukrainase rriti shpenzimet e buxhetit të mbrojtjes për 12 miliardë dollarë
- Parlamenti ukrainas miratoi sot rritjen e pjesës së shpenzimeve të buxhetit shtetëror të vendit për 500 miliardë rivnia ukrainas (12,05 miliardë dollarë), njoftoi UNIAN.
- Post By Sara Ademi
- 15:59, 18 shtator, 2024
Kiev, 18 shtator 20214 (MIA) - Parlamenti ukrainas miratoi sot rritjen e pjesës së shpenzimeve të buxhetit shtetëror të vendit për 500 miliardë rivnia ukrainas (12,05 miliardë dollarë), njoftoi UNIAN.
Mjetet shtesë do të drejtohen në sektorin e mbrojtjes të vendit të shkatërruar nga agresioni ushtarak rus, thonë deputetët ukrainas.
Me rritjen e miratuar sot, pjesa e shpenzimeve të buxhetit të Ukrainës rritet me rreth 13 për qind në gati 90 miliardë dollarë. Fondet shtesë nevojiten për të paguar "kompensimet ushtarake" për ushtarët dhe oficerët që luftojnë me ushtrinë ruse, vuri në dukje DPA.
Ekonomia e Ukrainës është dëmtuar rëndë që kur Rusia filloi pushtimin e saj të vendit në shkurt të vitit 2022. Qeveria në Kiev përballet me një deficit buxhetor prej 400 miliardë deri 500 miliardë rivnia ukrainas (9,64 miliardë deri në 12,05 miliardë dollarë), thonë zyrtarët ukrainas. Ata theksojnë se qeveria planifikon të mbulojë këtë vit deficitin buxhetor me rritjen e taksave, uljen e kostove sociale dhe me kredi të reja, përfshirë edhe nga Bashkimi Evropian.
Banka Qendrore e Ukrainës po zhvlerëson gradualisht rivnian ukrainase për të siguruar zbatimin e buxhetit. DPA vëren se që nga fillimi i vitit, monedha kombëtare - rivnia, është bërë më e lirë me rreth tetë për qind në krahasim me dollarin dhe gati 10 për qind në krahasim me euron.
Që nga fillimi i vitit, qeveria ukrainase ka marrë ndihmë në shumën prej rreth 16 miliardë dollarësh nga vendet perëndimore që mbështesin Ukrainën. Sipas të dhënave nga Ministria e Financave në Kiev, nga shkurti 2022 deri në fund të 2023, ndihma ndërkombëtare për vendin arriti në 73.6 miliardë dollarë. sa/
foto: Arkivi i MIA-s