• e hënë, 23 dhjetor 2024

Qytetarët për temat politike më së shpeshti informohen përmes internetit, mbi 90 për qind nga rrjetet sociale

Qytetarët për temat politike më së shpeshti informohen përmes internetit, mbi 90 për qind nga rrjetet sociale

Shkup, 24 tetor 2023 (MIA) - Qytetarët për temat politike më së shpeshti informohen përmes internetit - 56 për qind, prej të cilave mbi 90 për qind informohen nga rrjetet sociale, ndërsa vetëm 28,2 për qind nga portalet onlajn - media, tregojnë rezultatet nga anketa EUROMETAR 2023.

Pyetjes "si informoheni për temat politike" shumica ose 56,5 për qind e të anketuarve janë përgjigjur përmes internetit, më pas vijojnë 43,5 për qind përmes televizionit, 12,5 për qind nga miqtë/familja dhe 1,8 për qind përmes radios. Rreth 13,4 për qind e të anketuarve janë përgjigjur se nuk informohen.

Shumica e qytetarëve ose 90,3 për qind si burim interneti për temat politike i përdorin rrjetet sociale (Fejsbuk, Tuiter, Instagram, Yutjub, Podkast), më pas 28,3 për qind nga një portal onlajn – media dhe vetëm 13,8 për qind nga platforma onlajn e radiostacioneve ekzistuese ose kanale televizive.

Violeta Gligorova nga Eurotink - Qendra për strategji evropiane, theksoi se qytetarët mund të zgjidhnin më shumë përgjigje për këtë pyetje, kështu që rrjetet sociale ishin zgjedhja e parë për 81,6 për qind të të anketuarve, për 16 për qind mediat onlajn dhe 2,3 për qind ndonjë platformë onlajn e radiostacioneve ekzistuese ose kanale televizive. Mediat onlajn janë zgjedhja e dytë për 53,1 për qind të të anketuarve, më pas vijojnë rrjetet sociale për 41,6 për qind të të anketuarve. Platformat onlajn të radiostacioneve ekzistuese apo kanaleve televizive është zgjedhja e tretë për 94,8 për qind të të anketuarve.

Shumica e qytetarëve, ose 33,7 për qind, rrallë ndjekin temat e politikës së jashtme, përkatësisht proceset integruese evropiane të vendit. Rreth 26,1 përqind ndjekin shpesh, ndërsa 21,4 përqind rregullisht. 

Për sa i përket rëndësisë së burimeve të informacioneve për BE-në dhe procesin e anëtarësimit të vendit në BE, të anketuarit i japin përparësinë më të madhe materialeve televizive/video (47 për qind), ndërsa pjesëmarrja e drejtpërdrejtë personale në një ngjarje/debat publik është e rëndësishme për 35 për qind, materialet multimediale për qasje onlajn për 34 për qind dhe tekst apo infografikë për 33 për qind të të anketuarve.

Shumica e qytetarëve, 48,2 për qind, kanë thënë se janë të informuar çdo ditë për temat që kanë të bëjnë me BE-në dhe vendin, pastaj 30,1 për qind në muaj, 18,4 për qind në javë dhe 3,3 për qind nuk janë përgjigjur.

Anketa EUROMETAR 2023 është realizuar gjatë shtatorit 2023 në një mostër përfaqësuese prej 1003 të anketuarve, nga agjencia BRIMA në një mostër të rastësishme të shtresuar në shumë nivele të popullsisë së moshës 18+, të hartuar sipas të dhënave të publikuara nga Enti Shtetëror i Statistikave dhe bazuar në të dhënat nga Regjistrimi 2021.

Hulumtimi i opinionit publik është realizuar në kuadër të projektit “Mediat për BE-në” – Programi i shoqërisë civile për pjesëmarrjen e mediave në negociatat për anëtarësim të Maqedonisë së Veriut në BE me mbështetje financiare nga Bashkimi Evropian. ls/

Foto: Printskrin/Anketa EUROMETAR 2023

 

 

QËNDRONI TË LIDHUR