• e shtunë, 21 dhjetor 2024

Qeveria: Rritet besimi i biznesit tek institucionet, sivjet 432 aplikime rekord të kompanive për mbështetjen e investimeve

Qeveria: Rritet besimi i biznesit tek institucionet, sivjet 432 aplikime rekord të kompanive për mbështetjen e investimeve

Shkup, 11 korrik 2023 (MIA) -  Këtë vit janë regjistruar 432 aplikime rekord për projekte të reja investuese nga po aq kompani, kumtoi Qeveria. Kjo do të thotë, siç potencon, se është duke u rritur besimi i biznesit tek institucionet.

Në mbledhjen e sotme të Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut u miratua grupi i parë prej 82 kontratash, pjesa tjetër janë në proces vlerësimi dhe do të përfundojnë në javët e ardhshme.

"Përpjekjet e kësaj Qeverie për të krijuar një marrëdhënie partneriteti dhe një ekonomi të parashikueshme po japin rezultat. Këto 82 kompani, kontratat e të cilave për mbështetje të investimeve përmes Ligjit për mbështetje financiare të investimeve u miratuan sot nga Qeveria, po hapin vende të reja pune dhe vende të paguara mirë. Vetëm në vitin e parë investues 2022 kanë hapur 233 vende të reja pune dhe deri në fund të cikleve investuese, vetëm këto 82 kompani do të hapin 818 vende të reja pune. Investimet që këto kompani po bëjnë janë jashtëzakonisht të rëndësishme në këtë periudhë të rimëkëmbjes nga kriza. Investimet e tyre tregojnë shkathtësinë dhe qëndrueshmërinë e kompanive, si dhe mundësitë në ekonominë tonë vendore. Këto 82 kompani kanë investuar 30.8 milionë euro në vitin e parë të investues 2022, ndërsa deri në fund të cikleve të investimit do të investojnë 67.5 milionë euro", potencon shërbimi për shtyp i Qeverisë.

Sipas Qeverisë, ndryshimet në Ligjin për mbështetje financiare të Investimeve që janë bërë në vitin 2019 kujdesen për zhvillimin e balancuar rajonal dhe sigurojnë mbështetje më të madhe për kompanitë në rajonet më pak të zhvilluara.

"Këto 82 kompani janë të shpërndara në të gjitha rajonet planifikuese: rajoni i Vardarit - 5 kompani, rajoni Lindor - 10 kompani, rajoni Juglindor - 16 kompani, rajoni Jugperëndimor - 6 kompani, rajoni i Pellagonisë - 16 kompani, rajoni i Pollogut - 9 kompani, rajoni Verilindor - 5 kompani dhe rajoni i Shkupit – 15 kompani. Shpërndarja e barabartë rajonale e kompanive dhe struktura sipas madhësisë tregojnë dhe dëshmojnë se Ligji për mbështetje financiare të investimeve ofron mundësi të barabarta për të gjitha kompanitë në vend, pavarësisht madhësisë apo vendndodhjes së tyre. Është e rëndësishme vetëm që kompanitë të bëjnë investime në zhvillimin e tyre dhe përparësinë konkurruese, për të treguar sukses në punën e tyre", shton Qeveria.

Përmes Ligjit për mbështetje financiare të investimeve, në gjshtë vitet e fundit, që nga sjellja e tij në vitin 2017, janë kontraktuar marrëveshje për mbështetje me 630 kompani, të cilat shërbehen nga Kabineti i zëvendëskryetarit të Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut, të ngarkuar për çështje ekonomike, koordinim të resorëve  ekonomikë dhe investimeve, si one-stop shop.

"Zhvillimi ekonomik, përmirësimi i konkurrencës së kompanive në tregjet e brendshme dhe ndërkombëtare dhe ngritja e standardit të jetesës së punonjësve, mbetet prioriteti kryesor i Qeverisë", thuhet në kumtesë.

 

Foto: Qeveria e RMV-së

 

QËNDRONI TË LIDHUR