Protokoll i ri për përforcim të bashkëpunimit mes MPB-së dhe Prokurorisë publike
- Ministri i Punëve të Brendshme, Pançe Toshkovski dhe Prokurori publik i Maqedonisë së Veriut, Lupço Kocevski sot nënshkruan Protokoll të ri për bashkëpunim ndërmjet MPB-së dhe Prokurorisë publike, me çka edhe një herë konfirmohet përkushtimi për forcimin e koordinimit ndërinstitucional për zbulimin dhe dëshmimin e suksesshëm të veprave penale dhe zbatimin efikas të procedurës penale.
- Post By Arta Bunjaku
- 12:08, 10 prill, 2025

Shkup, 10 prill 2025 (MIA) - Ministri i Punëve të Brendshme, Pançe Toshkovski dhe Prokurori publik i Maqedonisë së Veriut, Lupço Kocevski sot nënshkruan Protokoll të ri për bashkëpunim ndërmjet MPB-së dhe Prokurorisë publike, me çka edhe një herë konfirmohet përkushtimi për forcimin e koordinimit ndërinstitucional për zbulimin dhe dëshmimin e suksesshëm të veprave penale dhe zbatimin efikas të procedurës penale.
Siç kumtoi MPB, Toshkovski theksoi se përkushtimi i shtuar për përmirësimin dhe definimin e qartë të sistemit për luftimin e kriminalitetit nënkupton edhe përmirësimin e vazhdueshëm të rregullave të lojës, sipas të cilave institucionet do të mund të bashkëpunojnë, dhe më e rëndësishmja, ta udhëheqin atë luftë në mënyrë efektive.
"Rregullat e sakta nënkuptojnë efikasitet më të madh për institucionet, drejtësinë dhe ligjet, do të forcojnë koordinimin tonë të ndërsjellë dhe do të krijojnë një mjet më të fortë institucional për të luftuar të gjitha format e krimit dhe korrupsionit që hasim çdo ditë. Me nënshkrimin e këtij Protokolli, ne po hedhim themelet e besimit dhe bashkëpunimit, ku qëllimi i përbashkët është i qartë - zbulimi i suksesshëm dhe zbatimi efikas i procedurave penale", tha ministri. Toshkovski.
Ministri Toshkovski shpjegoi se dokumenti përcakton udhëzime dhe rregulla të qarta për sjelljen e nëpunësve policorë dhe prokurorëve publikë në aktivitetet e ndërmarra për zbulimin dhe ndjekjen penale të kryerësve të veprave penale, dhe në të njëjtën kohë duhet të përmirësohet funksionimi dhe efikasiteti i ndjekjes penale si pjesë e sistemit juridiko-penal.
"Ky nuk është vetëm dokument ligjor, por edhe shenjë e vullnetit për veprim të përbashkët, të bazuar në besim, transparencë dhe llogaridhënie", theksoi ministri Toshkovski në ceremoninë e nënshkrimit.
Prokurori publik Ljupço Kocevski theksoi vlerën operative të Protokollit.
"Protokolli nuk është një deklaratë politike, por një plan operativ i bazuar në ligjet tona të procedurës penale. Ai thjeshton procedurat e bashkëpunimit, siguron qartësi në rastet komplekse dhe forcon koordinimin në masat speciale hetimore. Institucionet tona përballen me forma shumë të sofistikuara të krimit dhe ky Protokoll do të na ndihmojë të përshtatemi dhe të përballemi me ato sfida", theksoi prokurori Kocevski.
Shefi i misionit të OSBE-së në Shkup, ambasadori Kilian Vall, i cili mori pjesë në krijimin e këtij protokolli, theksoi se MPB-ja dhe Prokuroria Publike po hyjnë në një fazë të re të bashkëpunimit në të cilën do të realizohen përfitimet e këtij protokolli.
"Ky hap do të forcojë pjesën e zbatimit të procedurës penale, do të ketë një efekt të dukshëm operacional dhe do t'i hapë rrugën trajnimeve dhe praktikave të përbashkëta. Procedurat standarde operative dhe mjetet praktike do të mundësojnë një luftë shumë më efektive kundër rasteve komplekse kriminale, korrupsionit, krimit të organizuar, krimeve financiare dhe krimit kibernetik", theksoi ambasadori Vall.
Foto: МРB