• e hënë, 23 dhjetor 2024

Promovimi i oficerëve dhe nënoficerëve të rinj në Akademinë ushtarake "Gjeneral Mihajllo Apostollski"

Promovimi i oficerëve dhe nënoficerëve të rinj në Akademinë ushtarake

Shkup, 13 gusht 2024 (MIA) - Në Akademinë ushtarake "Gjeneral Mihajllo Apostolski" sot u promovuan oficerë dhe nënoficerë ku fjalime mbajtën presidentja e Republikës së Maqedonisë së Veriut, Gordana Siljanovska Davkova, ministri i Mbrojtjes Vllado Misajllovski, si dhe togeri i rangut të parë Milica Perishiq. 

Presidentja Siljanovska Davkova në fjalimin e saj në promovimin e oficerëve dhe nënoficerëve porositi për kryerjen e detyrave në mënyrë të përgjegjshme si mbrojtës të lirisë së atdheut dhe se pret që ata të marrin pjesë aktive në ballafaqimin me kërcënimet tradicionale, si dhe kërcënime të reja hibride në hapësirën fizike dhe kibernetike.

"Ju u bëtë oficerë në periudhën e pasigurisë globale, të tensioneve gjeopolitike, të konflikteve ushtarake. Si oficerë të Armatës së NATO-s, nga ju pritet që t'i përmbushni standardet më të larta profesionale dhe kriteret kryesore. Jam e sigurt se në mënyrë aktive do të merrni pjesë në trajtimin e tradicionales, megjithatë edhe kërcënime të reja asimetrike dhe hibride në hapësirën fizike dhe kibernetike. Ju duhet të kontribuoni në sigurinë dhe mbrojtjen kolektive duke marrë pjesë në misione dhe operacione paqeruajtëse për të ruajtur aftësinë luftarake në stërvitjet ushtarake ndërkombëtare me aleatët dhe partnerët tanë strategjikë, por ju lutemi mos harroni kurrë nga keni ardhur. Kurrë mos harroni betimin tuaj, se ju jeni këtu para së gjithash për qytetarët e Maqedonisë dhe për mbrojtjen e Republikës së Maqedonisë", porositi Siljanovksa Davkova. 

Para të pranishmëve, Misajllovski theksoi se promovimi i sotëm është njohje e punës së tyre, por edhe dëshmi e besimit që u është dhënë për t'u bërë pjesë e, siç tha ai, institucionit me besimin më të madh te qytetarët. Ai shprehu mirënjohjen për vendimin për t'i shërbyer shtetit dhe qytetarëve, si dhe familjeve të tyre për mbështetjen dhe mirëkuptimin e vendosmërisë së tyre.

"Këtë vit në Akademinë tonë ushtarake me gradën e parë oficer janë edhe kadetët nga Mali i Zi dhe Bosnja e Hercegovina. Kjo tregon përkushtimin tonë serioz për stabilitetin dhe sigurinë rajonale. Ne kemi krijuar kapacitete njerëzore, oficerë, të cilët për 4 vitet e fundit kanë jetuar së bashku, janë edukuar dhe trajnuar se si të zotërojnë detyrat që kanë përpara. Besoj se do të mbeteni miq të mirë dhe se do të bashkëpunoni në mënyrë aktive dhe do të kontribuoni së bashku në forcimin e paqes, sigurisë dhe stabilitetit në rajon dhe në Aleancë", tha Misajllovski. 

Si nëntoger janë promovuar 38 kadetë, 24 prej tyre për nevoja të Armatës së Maqedonisë, gjegjësisht 12 gra dhe 12 burra, tetë nga Mali i Zi dhe gjashtë nga Bosnja e Hercegovina. qa/

Foto: Ministria e Mbrojtjes

 

 

QËNDRONI TË LIDHUR