• e diel, 22 dhjetor 2024

Program i ri për punë dinjitoze për krijimin e vendeve të punës dhe rritje të produktivitetit dhe pagave

Program i ri për punë dinjitoze për krijimin e vendeve të punës dhe rritje të produktivitetit dhe pagave

Shkup, 4 korrik 2023 (MIA) - Organizata Ndërkombëtare e Punës (ONP), Qeveria, sindikatat dhe organizatat e punëdhënësve e miratuan Programin e ri kombëtar për punë dinjitoze, që do të zbatohet deri në fund të vitit 2025. Krijimi i më shumë dhe më të mira të vendeve të punës, përmirësimi i perspektivave për punësimin e grave dhe burrave të rinj, si dhe një treg pune gjithëpërfshirës përmes përparimit të mëtejshëm të dialogut social, janë prioritetet kryesore, në realizimin e të cilit  në tre vitet e ardhshme së bashku do të vazhdojnë të punojnë partnerët që e përbëjnë dialogun social. 

"Edhe krahas sfidave të mëdha me të cilat është përballur i gjithë vendi, qytetarët dhe ekonomia e tij, lidhur me ndikimin e pandemisë, luftës në Ukrainë dhe krizës energjetike, megjithatë arritëm të bëjmë një hap serioz përpara në avancimin e dialogut social trepalësh me sindikatat dhe organizatat e  punëdhënësve, veçanërisht në kuadër të Këshillit Ekonomik dhe Social. Falë një bashkëpunimi të këtillë, u morën vendime që patën një ndikim të rëndësishëm në formësimin e politikave kombëtare ekonomike dhe sociale. Efektet përfundimtare të vendimeve dhe politikave të tilla, veçanërisht në uljen e papunësisë dhe rritjen e pagës minimale dhe mesatare, janë padyshim rezultat i përkushtimit dhe vullnetit për bashkëpunim të të gjithë partnerëve socialë", theksoi ministrja e Punës dhe Politikës Sociale  Jovanka Trençevska.
 

Programi i ri kombëtar për punë dinjitoze në thelb ndërlidhet dhe i mbështet prioritetet zhvillimore kombëtare të përcaktuara në Strategjinë kombëtare për punësim 2021-2027, Programin për reforma ekonomike 2023-2025, Planin për zbatimin e Garancisë për të rinjtë 2023-2026 dhe Planin aksional të Këshillit Ekonomik-Social 2023-2025.

Markus Pilgram, drejtor i ONP-së për Evropën Qendrore dhe Lindore, tha se shteti që nga pavarësia e deri më tani ka arritur përparim në zhvillimin ekonomik dhe përmirësim të standardit të jetesës së qytetarëve. 

 Megjithatë, vendi po përjeton një ndër konvergjencat më të ngadalta të të ardhurave me BE-në në krahasim me vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor. Përmirësimi i pjesëmarrjes në tregun e punës do të jetë me rëndësi kryesore që të arrihet niveli i BE-së.  Mbështetja e ONP-së ka për qëllim të krijojë më shumë mundësi për punësim, veçanërisht për të rinjtë, ta rrisë produktivitetin dhe pagat, të luftojë kundër diskriminimit, si dhe me dhunën dhe shqetësimin në vendin e punës dhe ta përforcojë zërin e partnerëve socialë, porositi Pilgrami.

 Përveç ONP-së, nënshkrim të Programit të ri trevjeçar për punë dinjitoze vendosën edhe përfaqësues të organizatave të cilat marrin pjesë në dialogun  social trepalësh - Qeveria e Republikës së Maqedonisë së Veriut, Lidhja e Sindikatave të Maqedonisë, Organizata e Punëdhënësve të Maqedonisë, Konfederata e Sindikatave të Lira të Maqedonisë, Biznes Konfederata e Maqedonisë, Unioni i Sindikatave të Pavarura dhe Autonome të Maqedonisë dhe Konfederata e Organizatave Sindikale të Maqedonisë. 

"Jemi të inkurajuar nga fakti se qëllimet që duhet të arrihen me realizimin e Programit të ri kombëtar për punë dinjitoze ndërlidhen me përpjekjet e Qeverosë për realizimin e qëllimeve të zhvillimit të qëndrueshëm, të përcaktuara në Strategjinë e Kombeve të Bashkuara për periudhën nga viti 2021 deri në vitin 2025. Nga atje, besojmë se miratimi dhe realizimi i këtij Programi do të kontribuojë për përmirësimin e standardit të jetesës të të gjithë njerëzve në Maqedoninë e Veriut, përmes një qasjeje të barabartë deri në punë dinjitoze dhe punësim produktiv të gjeneruara nga ekosistemi gjithpërfshirës dhe inovativ", theksoi Rosana Duxhak, koordinatore e përhershme e Kombeve të Bashkuara në Maqedoninë e Veriut, duke e përshëndetur miratimin e Programit të ri kombëtar për punë dinjitoze. 
 

 

 

Kryetari i LSM-së, Sllobodan Trendafillov tha se puna dinjitoze, paga dinjitoze dhe orari i punës dinjitoz, janl shtyllat kryesorë të një shteti.
Sipas Trendafilovit, sot  orari i punës dinjitoz është goditur me javë pune 72-orëshe për ndërtimin e korridoreve.

Kryetari i KSL, Bllagoj Ralpovski shfaqi shpresë se dokumenti i nënshkruar do të zbatohet. ar/

 

Foto:  MIA

 

QËNDRONI TË LIDHUR