Presidentja Siljanovska-Davkova priti sportistët e vendit që do të marrin pjesë në Lojërat olimpike në Paris
- Presidentja e vendit Gordana Siljanovska-Davkova sot priti olimpistët e Maqedonisë të cilët do të marrin pjesë në Lojërat olimpike verore që do të mbahen nga 26 korriku deri më 11 gusht në Paris.
- Post By Fami Bajrami
- 15:35, 22 korrik, 2024
Shkup, 22 korrik 2024 (MIA) - Presidentja e vendit Gordana Siljanovska-Davkova sot priti olimpistët e Maqedonisë të cilët do të marrin pjesë në Lojërat olimpike verore që do të mbahen nga 26 korriku deri më 11 gusht në Paris.
Kabineti i presidentes njoftoi se Siljanovska-Davkova është informuar për përgatitjet përfundimtare të ekipit olimpik të Maqedonisë, si dhe për pritjet nga garat e ardhshme.
Olimpistëve nga Maqedonia ajo u dhuroi flamurin kombëtar i cili do të valëvitet në hapjen e Lojërave olimpike dhe u uroi pjesëmarrje të suksesshme "në aktivitetin më madhështorë dhe prestigjioz sportiv".
"Ju si ambasadorë të sportit të Maqedonisë me krenari dhe dinjitet mbroni ngjyrat e vendit tonë. Ju uroj pjesëmarrje të suksesshme dhe prezantim të denjë në Paris. Unë dhe të gjithë qytetarët e Maqedonisë jemi me ju dhe ju mbështesim nga zemra", ka thënë Siljanovska-Davkova.
Duke iu referuar angazhimit dhe përkushtimit të vazhdueshëm të sportistëve nga Maqedonia, presidentja theksoi nevojën “si komunitet, si shtet, të bëjmë gjithçka për të mbështetur sportistët, të punojmë në profesionalizmin e ekipeve të trajnerëve, duke përmirësuar kushtet e përgjithshme sportive në shoqërinë e vendit”.
Në Lojërat olimpike verore në Paris udhëtojnë gjashtë sportistë nga Maqedonia: Vlladimir Egorov - mundje, Nikola Gjuretanoviq - not, Anastasia Mojsovska - gjuajtje me hark, Edi Sherifovski - xhudo, Milijana Reliq - taekvondo dhe Dario Ivanovski - atletikë. Flamurin e Maqedonisë në ceremoninë e hapjes do ta bartin Ivanovski dhe Reliq.
Foto: Kabineti i presidentes së Republikës së Maqedonisë së Veriut