• e enjte, 07 nëntor 2024

Po përgatitet mbledhja konstituive e Kuvendit, kryetari duhet të jetë nga radhët e koalicionit VLEN

Po përgatitet mbledhja konstituive e Kuvendit, kryetari duhet të jetë nga radhët e koalicionit VLEN

Shkup, 27 maj 2024 (MIA) - Në Kuvend po bëhen përgatitjet e fundit para mbledhjes së nesërme konstituive të Kuvendit pas zgjedhjeve parlamentare të 8 majit. Kuvendi do të numërojë 120 deputetë, por në mbledhjen e nesërme do të marrin pjesë vetëm 118 deputetë, mandatet e të cilëve tashmë janë vërtetuar nga Komisioni shtetëror zgjedhor dhe u janë dhënë vërtetime. Për dy mandate për të cilat u rivotua të mërkurën e kaluar ende rrjedhin procedurat ankimore. Kryetar i Kuvendit me siguri do të jetë Afrim Gashi nga koalicioni VLEN, siç konfirmuan pasdite nga grupet partiake të punës të cilat negociuan për qeverinë e re.

Në përbërjen e re parlamentare më së shumti deputetë ka koalicioni "Maqedonia jote", kryesuar nga VMRO-DPMNE - 58, koalicioni Për të ardhme evropiane i kryesuar nga LSDM ka 18 deputetë, koalicioni Fronti evropian i kryesuar nga BDI ka gjithashtu 18 deputetë, koalicioni VLEN 14, E Majta 6 dhe ZNAM 6 deputetë.

Me këtë përbërje parlamentare fillon zbatimi i Rregullores së re për punë të Kuvendit. Kuvendi i sapozgjedhur takohet në mbledhje konstituive më së voni 20 ditë pas zgjedhjeve të mbajtura. Mbledhjen konstituive e thërret kryetari i Kuvendit, Jovan Mitreski.

Deri në zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit, me mbledhjen konstituive do të kryesojë deputeti më i moshuar. Në përbërjen e re, kjo është deputetja Merita Kollçi Koxhaxhiku.

Rendi i ditës i mbledhjes konstituive, sipas Rregullores, do të ketë tre pika përkatësisht zgjedhje të komisionit verifikues, zgjedhje të Komisionit për çështje të zgjedhjeve dhe emërimeve, si dhe zgjedhje të kryetarit të Kuvendit.

Mbledhja konstituive, sipas Rregullores së re, zgjatë më së shumti tre ditë, ndërsa Kuvendi konstituohet me zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit.

Kryetari i Kuvendit e njofton presidentin e Republikës për konstituimin e Kuvendit dhe për zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit.

Kryesuesi me mbledhjen e parë emëron dy nga deputetët e zgjedhur, të cilët sipas nevojës e zëvendësojnë në kryesimin e mbledhjes. Kryesuesi me thirrje të deputetëve të zgjedhur e konfirmon numrin e deputetëve të zgjedhur të pranishëm.

Kuvendi mund të konstituohet nëse në mbledhje marrin pjesë shumica e deputetëve të zgjedhur.

Pasi që të konfirmohet kuorumi, zgjedhen kryetari dhe anëtarët e Komisionit verifikues të Kuvendit. Mandatin e deputetëve Kuvendi e verifikon në mbledhjen konstituive me propozim të Komisionit verifikues që zgjedhet me propozim të kryesuesit.

Komisioni verifikues përbëhet nga kryetari dhe katër anëtarë, nga radhët e deputetëve të cilët u takojnë partive të ndryshme politike të përfaqësuara në Kuvend.

Në bazë të raportit të Komisionit shtetëror zgjedhor për zgjedhje të secilit deputet, Komisioni verifikues i Kuvendit i parashtron raport me shkrim me propozimin për verifikim të mandatit, secilit deputet në veçanti.

Kuvendi e mban seancën dhe voton në tërësi rreth raportit të Komisionit verifikues. Për raportin e Komisionit verifikues zhvillohet seancë e vetme, e cila nuk mund të zgjatë më shumë se një ditë. Votimi rreth raportit bëhet pas përfundimit të seancës, ndërsa më së voni deri në orën 24:00. Nëse Komisioni verifikues e konteston zgjedhjen e një deputeti të caktuar, Kuvendit i propozon ta shtyjë verfikimin e mandatit të tij. Për çdo propozim për shtyrje të verifikimit të mandatit të deputetit, Kuvendi diskuton dhe vendosë në veçanti brenda afatit.

Kuvendi mund ta shtyjë verifikimin e mandatit të deputetit dhe me konkludim të kërkojë Komisioni shtetëror zgjedhor t'i kryejë shqyrtimet e nevojshme, për shkak të kontrollimit të ligjshmërisë dhe rregullshmërisë së zgjedhjes së zbatuar dhe në afat prej 30 ditëve për atë ta njoftojë Kuvendin.

Deri në marrjen e njoftimit të Komisionit shtetëror zgjedhor, deputeti, verifikimi i mandatit të të cilit është shtyrë, nuk ka të drejtë të marrë pjesë në seancat e Kuvendit.

Verifikimin e mandatit të deputetëve të cilët janë bërë deputetë nga lista e kandidatëve për pjesën e mbetur të mandatit, Kuvendi e kryen në seancën e parë të ardhshme në bazë të raportit të KSHZ-së, ndërkaq me propozim të Komisionit për çështje të mandateve dhe imunitetit.

Me verifikimin e mandatit deputeti përfiton të drejta dhe detyrime të konstatuara me Kushtetutë, ligj dhe me këtë rregullore.

Kuvendi në mbledhjen konstituive, me propozim prej së paku 10 deputetëve, zgjedhë Komisionin për çështje të zgjedhjeve dhe emërimeve. Në Komision sigurohet përfaqësimi adekuat i deputetëve nga partitë politike të përfaqësuara në Kuvend. Pas propozimit për zgjedhje të Komisionit për çështje të zgjedhjeve dhe emërimeve zhvillohet edhe një seancë e vetme, e cila nuk mund të zgjasë më shumë se një ditë. Votimi për zgjedhje të Komisionit bëhet pas përfundimit të seancës, ndërkaq më së voni deri në orën 24:00.

Kuvendi zgjedhë kryetar nga radhët e Kuvendit. Për zgjedhje të kryetarit të Kuvendit zhvillohet seancë e vetme, e cila nuk mund të zgjasë më shumë se një ditë. Votimi për zgjedhje të kryetarit të Kuvendit bëhet pas përfundimit të seancës, ndërkaq më së voni deri në orën 24:00.

Kandidat për kryetar të Kuvendit mund të propozojë Komisioni për çështje të zgjedhjeve dhe emërimeve apo së paku 20 deputetë. Një deputet mund të propozojë vetëm një kandidat për kryetar të Kuvendit.

Propozimi për kandidat për kryetar të Kuvendit parashtrohet me shkrim në mbledhjen e Kuvendit dhe përmban emër dhe mbiemër të kandidatit me të dhëna biografike dhe arsyetim, si dhe emrat dhe mbiemrat e deputetëve të cilët e parashtrojnë propozimin dhe nënshkrimet e tyre.

Nëse janë parashtruar dy apo më shumë propozime për kandidat për kryetar të Kuvendit, renditja e kandidatëve për kryetar të Kuvendit konfirmohet sipas rendit alfabetik të mbiemrave të tyre.

Votimin për zgjedhje të kryetarit të Kuvendit e kryeson kryesuesi. Nëse Kuvendi vendosë, kryetari i Kuvendit të zgjedhet me votim të fshehtë, kryesuesit, gjatë zgjedhjes i indhmojnë sekretari i përgjithshëm i Kuvendit dhe tre deputetë, të cilët i zgjedhë Kuvendi me propozim të kryesuesit nga radhët e deputetëve të cilët u tkaojnë partive të ndryshme politike të përfaqësueara në Kuvend.

Deputeti ka të drejtë të votojë vetëm për njërin nga kandidatët e propozuar për kryetar të Kuvendit. Nëse deputeti voton për disa kandidatë për kryetar të Kuvendit. votimi i tij konsiderohet i pavlefshëm.

Kryetar i Kuvendit zgjedhet kandidati i cili merr shumicën e votave nga numri i përgjithshëm i deputetëve. Nëse për kryetar është propozuar një kandidat dhe nëse gjatë votimit të parë nuk merret shumica e nevojshme e votave, përsëritet e tërë procedura zgjedhore. Nëse për kryetar janë propozuar dy kandidatë dhe nëse në votimin e parë asnjëri prej kandidatëve nuk e merr shumicën e nevojshme të votave, votimi përsëritet.

Nëse për kryetar të Kuvendit janë propozuar tre apo më shumë kandidatë, votimi përsëritet për dy kandidatët të cilët kanë marrë më së shumti vota në votimin e parë.

Nëse mes kandidatëve me numër më të madh të votave ka kandidatë me numër të njejtë të votave, votimi prësëritet për të gjithë kandidatët me numër më të madh të votave. Nëse edhe në votimin e përsëritur asnjëri prej kandidatëve nuk e merr shumicën e nevojshme të votave, përsëritet e tërë procedura zgjedhore.

Në mbledhje tjetër do të zgjedhen nënkryetarët e Kuvendit, ndërsa numrin e nënkryetarëve e konstaton Kuvendi me propozim të kryetarit të Kuvendit. Nënkryetarët zgjedhen nga radhët e deputetëve të cilët u tkaojnë partive të ndryshme politike të përfaqësuara në Kuvend. Njëri nga nënkryetarët zgjedhet nga radhët e deputetëve të cilët u takojnë partisë politike të përfaqësuar në Kuvend, e cila është partia më e madhe opozitare. Së paku njëri nga nënkryetarët zgjedhet nga gjinia më pak e përfaqësuar. ab/

Foto: МIА arkivi

QËNDRONI TË LIDHUR