• e hënë, 23 dhjetor 2024

Plotësohet Gjykata e Apelit në Shkup, zgjidhen tetë gjyqtarë

Plotësohet Gjykata e Apelit në Shkup, zgjidhen tetë gjyqtarë

Shkup, 15 nëntor 2023 (MIA) - Këshilli Gjyqësor i zgjodhi Gabriela Gajdova, Aleksandra Ristevska, Vesna Dimishkova dhe Osman Shabani për gjyqtarë nga fusha penale  në Gjykatën e Apelit - Shkup.

Me këtë, Këshilli Gjyqësor e plotësoi, Gjykatën e Apelit në Shkup me gjithsej tetë gjyqtarë të rinj, pasi më herët në seancën e sotme, zgjodhi edhe katër gjyqtarë nga fusha civile - gjyqtarët Aleksandar Shopov, Irena Kostadinova Angelova, Natalia Doneva dhe Ilir Sulejmani.

Kjo është zgjedhja e parë për një Gjykatë të shkallës së dytë në bazë të metodologjisë, së përpunuar sipas ligjit të ri për Këshillin Gjyqësor.

Gjyqtari i rangut të parë në renditjen "përfundimtare të gjyqtarëve nga fusha penale, gjyqtari Llazar Nanev, nga Gjykata Themelore Kavadar, nuk u zgjodh gjyqtar i Apelit pasi mori 4 vota "pro" dhe 8 vota "kundër” nga anëtarët e Këshillit Gjyqësor.

Vesna Dimeva tha se nuk do të votojë për këtë gjykatës, edhe pse është renditur i pari në listë, sepse në periudhën e kaluar është gjendur në shumë situata të cilat nuk janë zbardhur deri në fund.

Loreta Georgieva tha se nuk duhet të harrohet prezumimi i pafajësisë, sepse nuk ka vendim përfundimtar për asnjërën nga akuzat kundër këtij gjyqtari. "Do ta mbështes gjyqtarin Nanev, për cilësitë e tij personale dhe profesionale", tha Georgieva.

Për gjyqtare në Gjykatën e Apelit në Shkup, Këshilli zgjodhi gjyqtaren e rangut të dytë, Gabriela Gajdova, nga Gjykata Themelore e Velesit, e cila mori 12 vota "pro".

Gjyqtarja e renditur e tretë, Ola Ristova, nga Gjykata Penale e Shkupit, mori 8 vota "pro" dhe katër "kundër", por nuk mori shumicën e nevojshme sipas Badenterit, ku mori 2 vota "pro" dhe tre "kundër". 

Këshilli nuk e votoi gjyqtarin e renditur të katërt, Aco Tasev, nga Gjykata Themelore në Shtip, i cili e njoftoi Këshillin se jep dorëheqje për shkak se është zgjedhur kryetar i Gjykatës Themelore në Shtip.

Gjyqtari i rangut të pestë, Betim Jahjaga, nga Gjykata Themelore e Tetovës, nuk ka marrë shumicën e nevojshme, pasi shtatë anëtarë votuan "pro" dhe pesë "kundër".

Këshilli Gjyqësor, e zgjodhi gjyqtaren e rangut të gjashtë Aleksandra Ristevska, nga Gjykata Penale Shkup me 9 vota "pro" dhe 2 "kundër".

Gjyqtarja e rangut të shtatë, Daniela Aleksovska Stojanovska nga Gjykata Penale Shkup, nuk e mori shumicën e nevojshme, pasi për të votuan 5 anëtarë "pro" dhe 7 "kundër".

Këshilli nuk votoi as gjyqtarët e rangut të tetë dhe të nëntë, gjyqtaren Verka Kostovska, nga Gjykata Themelore Tetovë dhe gjyqtarin Lubomir Gjorgjeviq, nga Gjykata Themelore Kumanovë, të cilët morën 4 vota "për" dhe 8 "kundër".

Gjyqtarja e rangut të dhjetë Lubinka Bashevska nga Gjykata Penale Shkup, nuk ishte zgjedhur me 3 vota "pro" dhe 9 "kundër".

Gjyqtarja Vesna Dimishkova, nga Gjykata Penale Shkup, si e rangut të 11-të mori 11 vota "pro" dhe një "kundër" dhe u zgjodh për gjyqtare në Gjykatën e Apelit Shkup.

Gjyqtari Ivica Stefanovski nga Gjykata Penale Shkup, si i rangut të 12-të, mori 6 vota "pro" dhe 6 "kundër" dhe nuk e mori shumicën e nevojshme.

Këshilli gjyqësor, e zgjodhi gjyqtarin Osman Shabani, nga Gjykata Penale Shkup, i cili si i rangut të 13-të në listë mori 11 vota "pro" dhe një "kundër".

Pjesa tjetër e kandidatëve nga ranglista përfundimtare nuk u votuan, pasi numri i kërkuar prej katër gjyqtarësh tashmë kishte marrë besimin e anëtarëve të Këshillit Gjyqësor.

Në konkursin për tetë pozita në Gjykatën e Apelit ishin gjithsej 45 kandidatë, nga të cilët 21 kandidatë për katër gjyqtarë në fushën civile dhe 24 kandidatë për katër gjyqtarë në fushën penale.

Kryetari i Këshillit Gjyqësor, Sashko Georgiev, theksoi se ky është vlerësimi i parë sipas metodologjisë së re, duke sqaruar se procesi përbëhet nga dy pjesë, ku një pjesë e kryen Këshilli Gjyqësor në raport me rezultatet e arritura si kuantitet sipas numrit të çështjeve të zgjidhura dhe të anuluara, ndërsa tjetra zbatohet nga vetë gjykatat.

Periudha e gjatë kohore e kërkuar nga Këshilli Gjyqësor për përzgjedhjen e gjyqtarëve në një gjykatë më të lartë është vënë në dukje edhe në Raportin e Komisionit Evropian. sa/

Foto: Arkivi i MIA-s

QËNDRONI TË LIDHUR