• e enjte, 31 tetor 2024

Personi që sulmoi me çekiç bashkëshortin e Nensi Pelosit dënohet me burgim të përjetshëm

Personi që sulmoi me çekiç bashkëshortin e Nensi Pelosit dënohet me burgim të përjetshëm

Uashington, 30 tetor 2024 (MIA)- Personi i dënuar me 30 vjet në një burg federal për sulmin me çekiç ndaj bashkëshortit të ish kryetares së Dhomës së përfaqësuesve, Nensi Pelosi u dënua me burgim të përjetshëm, pa mundësinë e lirimit me kusht pas një gjyqi të veçantë shtetëror.

Në muajin qershor, një juri në San Francisko e shpalli fajtor të pandehurin Dejvid Depi nën akuza ku përfshihen edhe rrëmbimi me dhunë dhe sulmi ndaj një anëtari të familjes së një zyrtari federal.

Përpara shpalljes së dënimit të sulmuesit Depi me burgim të përjetshëm në akuzën për rrëmbim, gjykatësi Heri Dorfman hodhi poshtë argumentet e avokatëve mbrojtës për një gjykim të ri shtetëror për sulmin e vitit 2022 ndaj Paul Pelosit i cili në atë kohë ishte 82 vjeç.

“Qëllimi im është që z. Depi të mos dalë kurrë nga burgu, ai kurrë nuk mund të lirohet me kusht”, tha gjykatësi Dorfman ndërsa shpalli dënimin. “Unë nuk ndjej simpati për ju. Ndjej simpati për viktimën në këtë rast i cili është me fat që është gjallë”, tha më pas gjykatësi.

Adam Lipson, një avokat mbrojtës publik i San Franciskos i kishte kërkuar gjykatësit Dorfman që të merrte në konsideratë shëndetin mendor dhe izolimin e të pandehurit Depi çka e kishte bërë klientin e tij të ndjeshëm ndaj propagandës në internet.

Të pandehurit iu dha mundësia t’i drejtohej gjykatës përpara shpalljes së dënimit. I veshur me kostumin ngjyrë portokalli të burgut, ai foli gjatë për 11 shtatorin duke e cilësuar si vepër të organizuar nga brenda, ndërsa tha se ish gruan e tij e kishin zëvendësuar me një sozi dhe se avokatët mbrojtës, të siguruar nga shteti, po komplotonin kundër tij.

Ai nuk i kërkoi falje familjes së Pelosit, ndërsa avokatët e tij kanë për qëllim ta ankimojnë dënimin. 

Foto: EPA

 

 

QËNDRONI TË LIDHUR