• e hënë, 23 dhjetor 2024

Pendarovski: Të ndahet buxhet për politikat e romëve dhe të ketë vullnet real politik për avancimin e të drejtave të tyre

Pendarovski: Të ndahet buxhet për politikat e romëve dhe të ketë vullnet real politik për avancimin e të drejtave të tyre

Shkup, 6 prill 2023 (MIA) - Bashkësia rome, si në perspektivën historike ashtu edhe në atë aktuale, është pjesë e pandashme e mozaikut tonë multikulturor. “Fatkeqësisht, kur flasim për romët në tre dekadat e fundit, diskutojmë për problemet themelore të njerëzve, problemin me qasjen në ujë, energji elektrike, infrastrukturë adekuate, arsim cilësor dhe shërbime shëndetësore, papunësi të lartë dhe qasje të kufizuar në drejtësi", tha presidenti i shtetit Stevo Pendarovski në konferencën e sotme “Strategjia për romët, rrjedha dhe hapat e ardhshëm” që u mbajt nën patronazhin e tij.

Situata shqetësuese në të cilën gjendet shumica e bashkësisë rome me dekada, bëri të ditur Pendarovski, tregon nevojën për miratimin dhe zbatimin e politikave të targetuara me qëllim të tejkalimit të statusit të tillë.

"Të përballur me të gjitha këto probleme, si shtet vendosim mekanizma me qëllime të definuara për avancimin e pozitës së bashkësisë rome, pas nesh kemi miratuar dy strategji për përfshirjen e romëve në vitin 2005 dhe në vitin 2016 kemi miratuar plane kombëtare të veprimit, e vitin e kaluar u miratua edhe strategjia e re për përfshirjen e romëve 2022-2030. Realisht, këto mekanizma dhanë rezultate modeste, sepse ka shumë mangësi strukturore që ndikojnë në jetën e përditshme kulturore dhe sociale të bashkësisë rome", nënvizoi Pendarovski.

Raportet e Komisionit Evropian, siç theksoi ai, rregullisht tregojnë se planet kombëtare të veprimit nuk janë realizuar plotësisht, prandaj është vërejtur vetëm progres i kufizuar. Ose, shtoi ai, raporti i fundit vjetor për gjendjen e të drejtave të njeriut për vitin 2022 i Departamentit amerikan të Shtetit, i cili tregon se nuk mund të realizohen të drejtat themelore të njeriut të romëve të cilët nuk janë të evidentuar në librat amë e të lindurve.

Pendarovski theksoi se ka një sërë dobësish për shkak të përjashtimit të lagjeve rome nga planet e përgjithshme dhe të detajuara urbanistike të komunave, e si sfida shfaqen edhe kalimi nga arsimi fillor në atë të mesëm, jetëgjatësia e shkurtër e romëve, vdekshmëria te foshnjat dhe qasja e kufizuar në shërbimet sociale dhe shëndetësore. 

"Për fat të keq, ka ende intolerancë ndaj atyre që janë të ndryshëm nga shumica në sistemin arsimor dhe ka shembuj të segregacionit në shkolla. Romët ende nuk kanë një institucion amë për të promovuar dhe kultivuar kulturën e tyre të pasur rome. Graja rome vuan diskriminim të shumëfishtë dhe përballet me barriera gjinore. Mungesa e teksteve për lëndën zgjedhore Gjuha dhe kultura rome e kufizon objektivisht të drejtën e nxënësve romë për të mësuar këtë lëndë", tha Pendarovski.

Presidenti theksoi se anti-ciganizmi, si rezultat i një procesi kompleks historik të dhunës, stigmatizimit, gjuhës së urrejtjes dhe diskriminimit, çon në përjashtimin e bashkësisë etnike rome nga trendët e zhvillimit të shoqërisë. Këto disavantazhe strukturore, shtoi ai, si një efekt domino i kthejnë brezat prapa, gjë që ndikon në prosperitetin e përgjithshëm të asaj bashkësie, por edhe në prosperitetin e të gjithë shtetit. 

"Edhe pse në rajonin tonë, Maqedonia e Veriut vlen si vend që bën përpjekjet më të mëdha për përmirësimin e gjendjes së romëve, megjithatë, përparimi modest në disa fusha parësore, ndër të cilat është arsimi, nuk duhet të na mbajë në zonën e rehatisë sepse problemet e njëjta vazhdojnë prej vitesh. Është e nevojshme të përballemi me faktet dhe të rishikojmë praktikat e mëparshme që kanë treguar rezultat modest në përmirësimin e gjendjes së bashkësisë rome. Është jashtëzakonisht e rëndësishme të vendoset koordinimi funksional ndërinstitucional, monitorimi dhe vlerësimi i aktiviteteve lidhur me arritjen e qëllimeve të strategjisë për përfshirjen e romëve 2022-2030", thekson Pendarovski.

Gjëja më e rëndësishme, sipas tij, është që të ndahet buxhet për politikat e romëve dhe të ketë një vullnet real politik, e jo deklarativ, për të arritur progres në përmirësimin e të drejtave të bashkësisë rome dhe cilësisë së jetës së tyre, e në këtë mënyrë edhe prosperiteti i përgjithshëm i Republikës së Maqedonisë së Veriut.

"Ne, politikanët, duke ndjekur vlerat qytetëruese, kemi detyrimin të krijojmë shans të barabartë për prosperitetin e të gjithë qytetarëve. Kemi edhe shumë punë për të bërë në këtë fushë dhe për këtë arsye mbetet mbështetja ime për përmirësimin e gjendjes së bashkësisë rome, konstatoi presidenti i shtetit.

QËNDRONI TË LIDHUR