• e martë, 24 dhjetor 2024

Pendarovski: Realizmi politik është se pa ndryshim të Kushtetutës nuk ka përparim drejt BE-së

Pendarovski: Realizmi politik është se pa ndryshim të Kushtetutës nuk ka përparim drejt BE-së

Shkup, 17 prill 2024 (MIA) - Presidenti i vendit dhe pretendent për mandatin e dytë në zgjedhjet e ardhshme presidenciale Stevo Pendarovski, konsideron se në marrëdhëniet ndërmjet Maqedonisë së Veriut dhe Bashkimit Evropian ekziston një realizëm i ri politik gjegjësisht se vendi është i vetëbllokuar në rrugën evropiane.

"Ne fatkeqësisht jemi të bllokuar dhe e dimë pse, partia kryesore opozitare thotë se në asnjë mënyrë nuk  votojmë nën diktat bullgar e kështu me radhë. Nëse ky është realizmi i ri, atëherë jemi të vetëbllokuar. Le të shfrytëzojmë sa më shumë nga ky plan i paralajmëruar ambicioz për rritje të Ballkanit Perëndimor në të cilin ka shumë më tepër fonde në dispozicion, derisa opozita të kuptojë se pa ndryshuar Kushtetutën nuk ka anëtarësim në BE dhe derisa të ndodhë kjo le të përdorim të paktën më shumë se ato fonde të cilat janë të destinuara për ata që janë të vetëbllokuar si ne. Gjatë fushatës mund të flasim për diktatet dhe mrekullitë bullgare, se vetëm si bullgarë mund të hyjmë në BE, është thjesht një mantër politike për të mashtruar popullin derisa të vini në pushtet. Pas kësaj do të përballeni me kërkesat e faktorit potencial shqiptar që do t'ju tregojë ndryshime kushtetuese për tre, gjashtë muaj, pastaj do të shkoni në Bruksel dhe atje do t'ju thonë se nuk ka ndryshim në kornizën e negociatave", tha sonte Pendarovski në një intervistë për emisionin Top Tema në TV Telma.

Duke komentuar qëndrimin e VMRO-DPMNE-së për ndryshimet e Kushtetutës, Pendarovski thotë se kjo bëhet vetëm për shkak të grumbullimit të pikëve politike dhe për këtë me vetëdije po e bllokon procesin integrues.

"Pardje ka pasur një intervistë të një njeriu nga CDU gjermane, parti simotër e VMRO-DPMNE-së, i cili ka ardhur këtu për t'i ndihmuar dhe u ka thënë se kjo është rruga. Dua t'u them: Lëreni fushatën, e kuptoj pse po e bëni këtë, sepse për atë çështje merrni pikë politike, për tjetër jo. Por tani, le të përballemi me këtë realizëm të ri politik. Është turp nëse Ukraina, Moldavia, Gjeorgjia dhe Bosnjë e Hercegovina bëhen kandidate kur ne kemi bërë njëfarë progresi, tani po kthehemi për shkak të qëndrimit tuaj se vetëm si bullgarë do të hyjmë në BE, që është absolutisht nebulozë", thotë ai. 

Pendarovski thekson se VMRO-DPMNE ka edhe një tezë tjetër që thotë "le ta ndryshojmë Kushtetutën sot, por ndryshimet do të vlejnë kur të anëtarësohemi" dhe pyet "a mund të bëhet kjo dhe cili nga faktorët evropianë ju premton se një gjë e tillë është e mundur".

Ai thekson se anëtarësimi në BE duhet të jetë çështje jopartiake, sepse është synim strategjik i shtetit, ashtu si NATO-ja.

Ai tha se as nuk i ndau dhe as nuk do t'i përçajë qytetarët në asnjë bazë, dhe nëse rizgjedhet do të jetë president i të gjithë qytetarëve, jo vetëm atyre që e kanë votuar. Këtë, thotë ai, e ka konfirmuar mandati i tij pesëvjeçar, por problemin e sheh në shoqërinë maqedonase, e cila është thellësisht e polarizuar etnikisht dhe se kjo duhet të ndryshojë. sa/

Foto: Arkivi i MIA-s

 

 

 

 

QËNDRONI TË LIDHUR