• e martë, 25 qershor 2024

Parlamenti spanjoll nesër do të votojë për propozimin e partisë katalanase "Junts" për njohje të Kosovës

Parlamenti spanjoll nesër do të votojë për propozimin e partisë katalanase

Prishtinë, 24 qershor 2024 (MIA) - Grupi parlamentar i partisë katalanase "Junts" (Junts per Catalunya) ka ngritur iniciativë në Parlamentin spanjoll që t'i propozojë Qeverisë në Madrid njohjen e Kosovës si shtet sovran, njoftuan mediat në Prishtinë, duke cituar burime në parti dhe zëra në mediat spanjolle.

Zhosep Alaj, shef i kabinetit të liderit të partisë, Karles Puçdemon, deklaroi për portalin "Gazete ekspres" (gazetaexpress.com) se parlamenti spanjoll do të diskutojë dhe do të votojë për propozomin për njohjen e Kosovës gjatë ditës së nesërme, 25 qershor. 

Në këtë iniciativë, dorëzuar në Kuvend më 5 qershor, pretendohet se Kosova është shtet ligjor dhe demokratik me 1.7 milionë banorë, të cilin e njohin mbi 100 shtete, duke përfshirë 22 anëtarë të Bashkimit Evropian.

Sipas mediave spanjolle "Europa pres" (europapress.es), "Junts" në iniciativë rikujton vendimin e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë nga viti 2010 se shpallja e pavarësisë së Kosovës nuk cenon të drejtën ndërkombëtare. Refuzimi i Spanjës për të njohur Kosovën, sipas partisë katalane, pengon përfshirjen e Ballkanit Perëndimor në BE dhe destabilizon rajonin në një kohë tensionesh për luftën në Ukrainë.

Siç transmeton MIA, "Junts" thekson se është e papranueshme që Spanja me mosnjohjen e Kosovës të ndjekë të njëjtën strategji si Rusia, Kina dhe Bjellorusia. Po ashtu, theksohet se Spanja tashmë ka marrëdhënie indirekte me Kosovën dhe që nga janari po i njeh pasaportat e Kosovës.

Propozimi i "Junts" kërkon që parlamenti të kërkojë nga qeveria spanjolle njohjen e menjëhershme të Republikës së Kosovës si shtet sovran. qa/ab/

 

QËNDRONI TË LIDHUR