• e hënë, 23 dhjetor 2024

Këshilltarët e Trampit i kanë dorëzuar një plan për të ndaluar ndihmën ushtarake amerikane për Kievin nëse nuk bisedojnë për paqe me Moskën

Këshilltarët e Trampit i kanë dorëzuar një plan për të ndaluar ndihmën ushtarake amerikane për Kievin nëse nuk bisedojnë për paqe me Moskën

Uashington, 25 qershor 2024 (MIA) - Dy këshilltarë kryesorë të Donald Trampit kanë shpalosur një plan për t'i dhënë fund luftës së Rusisë në Ukrainë - nëse ai i fiton zgjedhjet presidenciale - në të cilat synon t'i tregojë Ukrainës se do të marrë më shumë armë amerikane vetëm nëse i fillon bisedimet e paqes, raportojnë mediat amerikane.

Në të njejtën kohë, SHBA-ja do të paralajmërojë Moskën se çdo refuzim për të negociuar do të çojë në një rritje të mbështetjes së saj për Kievin, deklaroi në intervistë gjeneral-nënkoloneli i pensionuar Kit Kelog, njëri nga këshilltarët e Trampit për sigurinë kombëtare. 

Sipas planit që e kanë përgatitur Kelog dhe Fred Flejc, të cilët shërbyen në Këshillin e Sigurisë Kombëtare të Shtëpisë së Bardhë gjatë presidencës së Trampit në vitet 2017-2021, bisedimet e paqes do të çojnë në një armëpushim bazuar në linjat luftarake në atë kohë.

Të dy ia paraqitën strategjinë e tyre Trampit, ndërsa ish-presidenti amerikan iu përgjigj pozitivisht asaj, tha Flejc. "Nuk po them se ai ishte dakord me të apo ishte dakord me çdo fjalë që ajo thoshte, por ne ishim të kënaqur me reagimet që morëm”, tha ai. 

Megjithatë, zëdhënësi i Trampit, Stiven Çun, tha se vetëm deklaratat e dhëna nga Trampi ose anëtarët e autorizuar të stafit të tij zgjedhor duhet të konsiderohen për pozicionin e tij zyrtar.

Strategjia e përshkruar nga Kelog dhe Flajc është plani më i detajuar i zhvilluar deri tani nga ndihmësit e Trampit, i cili ka thënë se mund të gjejë shpejt një zgjidhje për luftën në Ukrainë nëse mposht presidentin Xho Bajden në zgjedhjet e 5 nëntorit, megjithëse ai nuk i ka diskutuar hapat konkrete, raportuan mediat amerikane.

Kremlini njoftoi se çdo plan paqeje i propozuar nga një administratë e mundshme e ardhshme e Trampit duhet të pasqyrojë realitetin në terren, por gjithashtu se presidenti rus Vladimir Putin mbetet i hapur për negociata. qa

 

QËNDRONI TË LIDHUR