• e diel, 22 dhjetor 2024

Pako e re e investimeve të BE-së për Ballkanin Perëndimor

Pako e re e investimeve të BE-së për Ballkanin Perëndimor

Bruksel, 2 korrik 2024 (MIA) - Komisioni Evropian sot paralajmëroi pakon e gjashtë të investimeve, si pjesë të Planit ekonomik dhe investues të BE-së për Ballkanin Perëndimor, që pritet të mobilizojë 1,2 miliardë euro investime.

Investimet e reja kanë të bëjnë me tre prioritete nga Plani ekonomiko-investues– mjedisi dhe klima, transporti i qëndrueshëm dhe mbështetja e sektorit të biznesit.

KE-ja paralajmëroi se investimet do të realizohen në bashkëpunim të ngushtë me partnerë nga Ballkani Perëndimor dhe institucionet financiare ndërkombëtare.

Kryetarja e KE-së, Ursula Fon der Lajen deklaroi se me këtë pako prej 1,2 miliardë eurove përforcohet lidhja rajonale me infrastrukturë cilësore.

"Partnerët tanë nga Ballkani Perëndimor po ndërtojnë të ardhmen e tyre evropiane. Këto investime, së bashku me reformat e nevojshme dhe qasjen në tregun e përbashkët, do të përgatisin ekonomitë e partnerëve tanë për hyrje në BE", theksoi Lajen.

Pakoja e investimeve përfshin 300 milionë euro grante të BE-së nga Instrumenti për ndihmë paraqasëse (IPA III), kontribute plotësuese dypalëshe nga anëtarët e BE-së dhe Norvegjia, hua nga institucione financiare ndërkombëtare dhe kontribute nga ekonomitë e Ballkanit Perëndimor.

Qëllimi i Planit ekonomik dhe investues për Ballkanin Perëndimor (2021-2027) është të nxitet rimëkëmbja afatgjate, të përshpejtohet tranzicioni i gjelbër dhe digjital dhe të përforcohet bashkëpunimi rajonal dhe konvergjenca me BE-në. rq/bsh/

Foto: Arkivi i MIA-s

QËNDRONI TË LIDHUR