• e hënë, 23 dhjetor 2024

Për pushtetin, vendi është gati të hapë klasterin e parë dhe nuk duhet pritur me ndryshimet kushtetuese, për opozitën problemi janë reformat e dobëta

Për pushtetin, vendi është gati të hapë klasterin e parë dhe nuk duhet pritur me ndryshimet kushtetuese, për opozitën problemi janë reformat e dobëta

Shkup, 19 dhjetor 2023 (MIA) - Këshilli Kombëtar për Integrim Evropian dhe Komisioni Parlamentar për Çështje Evropiane mbajtën sot seancë të përbashkët në Kuvend për të diskutuar Draft Udhërrëfyesin për sundimin e së drejtës dhe Draft Udhërrëfyesin për reformën e administratës publike.

Zëvendëskryeministri për Çështje Evropiane Bojan Mariçiq theksoi se të dy dokumentet rrjedhin drejtpërdrejt nga skriningu që përfundoi me sukses në nëntor dhe që janë kushte së bashku me Planin e veprimit për mbrojtjen e pjesëtarëve të bashkësive joshumicë për hapjen e kalsterit të parë.

I gjithë ky proces që nga fillimi i negociatave në korrik të vitit të kaluar, vijoi nga e gjithë puna e bërë në dhjetë vitet e mëparshme për të arritur, siç tha ai, në këtë pikë kyçe që duhet të hapë klasterin e parë. Suksesi i procesit të skriningut kishte të bëjë, shtoi ai, me punën intensive prej rreth 100 ditësh pune, angazhimit të mbi 1000 pjesëmarrësve nga 200 institucione të ndryshme që përgatitën 850 prezantime gjatë procesit të skriningut", përkujtoi Mariçiqi.

"Gjatë përgatitjes së të gjitha dokumenteve, administrata jonë mori në konsideratë Raportin nga skringut për Klasterin 1, Raportin e progresit të vendit, i cili u diskutua edhe me këto trupa në Kuvend, ku së bashku me KE-në u përpoqëm të adresojmë mangësitë më të mëdha në fushat kryesore dhe t'i vendosim ato në formën e qëllimeve dhe detyrave për periudhën e ardhshme 6-7 vjeçare deri në vitin 2030 kur presim të përfundojmë bisedimet e anëtarësimit. Paralelisht, ne jemi në koordinim me Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe institucionet e tjera për përgatitjen e Draft Planit të veprimit", tha Mariçiqi.

Udhërrëfyesi për sundimin e së drejtës përfshin temat kryesore të Kapitullit 23 - Gjyqësori dhe të Drejtat Themelore, dhe Kapitullit 24 – Drejtësia, Liria dhe Siguria, si dhe masat e tjera të Planit të veprimit.

"Fushat prioritare në Kapitullin 23 janë gjyqësori, lufta kundër korrupsionit dhe të drejtat themelore, dhe ne jemi të vetëdijshëm se detyrat më të vështira, veçanërisht pas dorëzimit të Raportit nga misioni vlerësues për Këshillin gjyqësor, duhet të jenë pikërisht në këto fusha nëse duam të ndërtojmë shtet të së drejtës që me siguri do të hapërojë në rrugën e anëtarësimit të plotfuqishëm. Forcimi i pavarësisë së sistemit gjyqësor dhe prokurorial, si dhe zbatimi i vazhdueshëm i legjislacionit dhe zbatimi i trek rekordit përkatës – respektivisht, raporti mbi zbatimin e ligjeve, duke përfshirë rregullat për emërimin e gjykatësve dhe prokurorëve publikë duke u bazuar në merita, avancime, procedurat për përgjegjësi disiplinore dhe shkarkimi, të cilat duhet të bazohen vetëm në kritere objektive, ndërsa qëllimi duhet të jetë që të arrijmë masat që janë të parashikuara në këtë fushë. Lufta kundër korrupsionit është gjithashtu një nga prioritetet e udhërrëfyesit, ndërsa masat janë të orientuara drejt forcimit të kornizës ekzistues legjislativ, por gjithashtu forcimin e pozitës së institucioneve kyçe dhe kapacitetit të tyre dhe aftësisë së tyre operative", tha Mariçiqi.

Në Kapitulli 24, janë përmendur shtatë fusha parësore që janë pjesë e udhërrëfyesit e këto janë: lufta kundër krimit të organizuar, bashkëpunimi në fushën e luftës kundër drogave, lufta kundër terrorizmit, bashkëpunimi gjyqësor në materien civile dhe penale, migrimi, azili dhe viza, kufijtë e jashtëm brenda kufijve të Shengenit, lufta kundër falsifikimit të euros, etj.

Për përgatitjen e Udhërrëfyesit për reformën e administratës publike, Mariçiqi theksoi se baza është Strategjia e reformës së administratës publike 2023 – 2030, e cila ka katër fusha prioritare – zhvillimin dhe koordinimin e politikave, menaxhimin e shërbimeve publike dhe burimeve njerëzore, llogaridhënien dhe transparencën, ofrimin e shërbimeve dhe transformimin digjital. Masat e parashikuara kanë për qëllim administratë publike të depolitizuar, efikase, efektive dhe të përgjegjshme që siguron politika me cilësi të lartë dhe shërbime lehtësisht të arritshme për qytetarët.

Lidhur me Planin e rritjes për Ballkanin Perëndimor, zëvendëskryeministri për Çështjet Evropiane sqaroi se ai bazohet në katër shtylla dhe është përgjigje ndaj kërkesave tona për sigurimin e disa përfitimeve për qytetarët para se të bëhen anëtarë të BE-së, ndërsa duhet të kontribuojë në intensifikimin e reformave në këtë fushë dhe dyfishimin e ekonomisë së rajonit për dhjetë vjet.

"Një nga detyrimet që rezultojnë nga plani është që secili vend të përgatisë agjendë reformash me listë indikative të prioriteteve që do të paraqesë paketë koherente masash për të arritur qëllimet e parashikuara për reformat e planifikuara për katër vitet e ardhshme. Realizimi i këtyre reformave do të jetë baza për marrjen e mjeteve nga Plani i rritjes", tha Mariçiqi.

Paralelisht me këtë, SÇE, në koordinim me Ministrinë e Punëve të Jashtme, filloi përgatitjen e draft Planit të veprimit për mbrojtjen dhe promovimin e të drejtave të pjesëtarëve të pakicave dhe bashkësive, i cili duhet të shihet në korrelacion me udhërrëfyesit, mbi të gjitha me atë për sundimin e së drejtës.

"Që nga fillimi, administrata jonë ka qenë në komunikim të vazhdueshëm me shërbimet e Komisionit Evropian, për të arritur një dokument të pranueshëm reciprokisht, i cili më pas duhet të pranohet nga vendet anëtare", tha Mariçiqi.

Kryetari i Këshillit Kombëtar për Integrim Evropian, Aleksandar Nikolloski, ndër të tjera, theksoi se Plani i rritjes është mekanizëm i mirë që BE-ja e propozon dhe shteti duhet t'i përdorë këto mjete në mënyrë që të stimulojë rritjen dhe të punojë më intensivisht në përmirësimin e infrastrukturës, si rrugore ashtu edhe hekurudhore, në komunikimet e digjitalizimit, por gjithashtu edhe në dhënien e një shansi për sektorin privat. Por, shteti, shprehet ai, nuk mund të mburret me reformat në fushën e sundimit të së drejtës, ndërsa arsyeja kryesore pse nuk kemi filluar bisedimet e anëtarësimit me BE-në është niveli i lartë i krimit dhe korrupsionit.

"Ne nuk kemi problem me vendin më të fortë anëtar të BE. Ne kemi një problem me vendin më të dobët apo të dytë më të dobët anëtar të BE-së. Bullgaria shumë më tepër ka nevojë për BE-në sesa që Bullgaria i nevojitet BE-së dhe ka mekanizmat përkatëse me të cilët vetë BE, por edhe vetë vendet anëtare mund t'i bëjnë presion Bullgarisë në qoftë se ato janë të bindura se Maqedonia meriton fillimin e bisedimeve. Për fat të keq, disa vende të mëdha anëtare nuk janë të bindura se Maqedonia meriton fillimin e bisedimeve, kryesisht për shkak të nivelit të lartë të krimit dhe korrupsionit dhe mungesës së sistemit funksional të shtetit të së drejtës", tha Nikollovski.

Sipas tij, pas zgjedhjeve të ardhshme parlamentare, ai është i bindur se vendi ka institucione më mirë të vendosura dhe legjislacion të mirë, duhet vetëm profesionistët në institucione të lejohen të punojnë, dhe rezultatet e para do të shihen në vetëm gjashtë deri në nëntë muaj.

"Kjo është diçka me të cilën disa nga kundërshtarët e mi politikë e dinë dhe tallen, por unë jam i bindur se në 6-9 muaj gjërat mund të zgjidhen ose të fillojnë të zgjidhen në Maqedoni në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit dhe krijimin e sistemit funksional të sundimit të së drejtës", shprehet Nikolloski.

Sipas kryetarit të Komisionit për çështjet evropiane, Arbër Ademi, në konkluzionet e Këshillit Evropian thuhet qartë se reformat e vendosura janë kushti i vetëm që vendi të hapë bisedimet sipas kapitujve dhe klasterëve.

"Ne mund të hapim debate të ndryshme për gjendjen me luftën kundër korrupsionit, por kushti i vetëm janë ndryshimet kushtetuese. Më lejoni të mos pajtohem me tezën se nuk duhet ngutur me ndryshimet kushtetuese. Përkundrazi, një tezë e tillë është katastrofike për

ne. Duhet të kemi parasysh faktin se agresioni ushtarak rus në Ukrainë riktheu temën e zgjerimit. BE sugjeron haptazi pranimin e shteteve të reja deri në vitin 2030 dhe ne duhet të jemi gati, të miratojmë ndryshime kushtetuese dhe të tregojmë vullnetin se jemi në favor të anëtarësimit në BE", tha Ademi.

Sipas tij, nuk ka arsye pse të ketë vonesa në ndryshimet kushtetuese, për të cilat nuk ka kurrfarë provash se do të jenë negative për shtetin.

"Fitohet përshtypje se gjëja më e rëndësishme për ne janë zgjedhjet që do të mbahen dhe jo e ardhmja e të rinjve, detyra jonë nga e cila nuk mund të ikim. Qytetarët po presin perspektiva të reja për shtetin dhe ne duhet të hapim rrugën drejt anëtarësimin në BE", porositi Ademi.

Vijon konsultimi për Draft udhërrëfyesit me sektorin e OJQ-ve, pas çka ato duhet të aprovohen nga Qeveria.

Seanca e përbashkët e Këshillit kombëtar për integrimin evropian dhe Komitetit parlamentar për çështjet evropiane duhet të mbahet më 11 dhjetor, por u shty për shkak të, siç u tha, mospërmbushjes së kërkesave ligjore dhe detyrimeve për seancë të mbyllur me material të klasifikuar me një nivel fshehtësie. 

Foto : MIA

QËNDRONI TË LIDHUR