• e shtunë, 28 shtator 2024

Osmani: Qytetarët që kanë mbetur jashtë shtetit pas 12 shkurtit me dokumente të vjetra udhëtimi, do të mund të kthehen me fletë udhëtimi (PLT)

Osmani: Qytetarët që kanë mbetur jashtë shtetit pas 12 shkurtit me dokumente të vjetra udhëtimi, do të mund të kthehen me fletë udhëtimi (PLT)

Shkup, 9 shkurt 2024 (MIA) - Qytetarët që kanë mbetur jashtë vendit pas datës 12 shkurt dhe kanë dokumente të vjetëra udhëtimi, do të mund të kthehen në vend me fletë udhëtimi, që lëshohen në përfaqësitë diplomatike-konsullare, informoi në brifingun e sotëm me gazetarët, shefi i diplomacisë, Bujar Osmani.

Për tri ditë në mesnatë, gjegjësisht më 12 shkurt, skadon periudha e tranzicionit nga Marrëveshja e Prespës, neni 6 dhe nga ligjet tona në lidhje me vlefshmërinë e dokumenteve të cilat kanë përdorim ndërkombëtar. 

Osmani tha se nuk ka vend për panik tek qytetarët, PDK-të do të punojnë me dy turne edhe të shtunën dhe të dielën, duke shtuar se fluksi më i madh i kërkesave për fletë udhëtime është në Gjermani.

"Ajo që kam vënë re është se ka një panik tek qytetarët në diasporë se pas 12 shkurtit do të humbasin vendet e punës, do të mund të humbasin lejet e qëndrimit. Prandaj në tre përfaqësitë tona diplomatike-konsullore në Berlin, Bon dhe në Mynih, në Zvicër, Itali ka fluks qytetarësh. Dua të dërgoj porosi se nuk ka vend për panik sepse MPJ është organizuar që tu ndihmojë kudo që janë. Për ata që do të gjenden me pasaporta të cilat me ligj do të paaftësohen, do të mund të kthehen me fletë udhëtimi", sqaroi Osmani.

Shtoi se në Gjermani dhe Itali janë dërguar edhe dy stacione mobile për dhënien e pasaportave, ndërsa fluks më të madh ka në Bon, ku janë dhënë mbi 6.000 fletë udhëtimi, ndërsa pastaj në Bern, Berlin, Mynih, Venecia, Romë dhe Lublanë. 

"Në qytetet ku nuk kemi PDK, ndërsa kemi një numër të madh të njerëzve nga diaspora jonë, po planifikojmë kalendar të ditëve konsullore nga 12 shkurti ku mund të vijnë direkt dhe të aplikojnë për pasaporta", tha Osmani, duke theksuar se në vendet ku nuk kemi PDK, gjegjësisht në Afrikë ku ka vetëm në Kajro, ne po punojmë në e-konsullatë elektronike dhe fletët e udhëtimit do të dërgohen me postë.

Për qytetarët të cilët do të gjenden në anije pas 12 shkurtit, tha Osmani, do të mund ta shfrytëzojnë këtë mënyrë të kërkesës së fletëve të udhëtimit onllajn dhe do të jenë në komunikim me PDK-të tona dhe do të merren vesh ku do të munden më lehtë ta marrin fletën e udhëtimit. 

I pyetur për atë nëse ndonjë qytetar nuk ka siguruar fletë udhëtimi, ndërsa ka ardhur në kufi, thotë se nuk dëshiron të japë garanci. 

"Nuk dua të jap garanci, se atëherë qytetarët mund të thonë 'aha do të thotë mundet, jepni, nuk do të nxjerr fletë udhëtimi'. Ne të sillemi sikur nuk kemi rrugë alternative. Unë jam duke punuar paralelisht për raste të tilla kur qytetarët nuk arrijnë dot as fletë udhëtimi që të kthehen me atë pasaportën e vjetër dhe këtu shpresoj se do të kemi mirëkuptim, por nuk dua të bazohemi në këtë. Ne kemi vullnet politik për të respektuar afatet, për t'u riorganizuar dhe po bëjmë të gjitha përpjekjet për t'u riorganizuar, por në të njëjtën kohë po punohet për një plan rezervë për raste të tilla të karakterit humanitar, ku mund të vijnë qytetarët që nuk mund të marrin fletë udhëtimi", tha Osmani.

Në pyetjen e gazetarëve se si u lejua të arrihet e gjithë kjo, dhe nëse do të mbajë përgjegjësi për situatën e tillë, duke pasur parasysh se Osmani dhe Spasovski ishin ministrat më konstantë në qeveri, ai thotë se kompetenca e tij është që qytetarët të cilët janë jashtë të shërbehen nga ana e MPJ-së. 

"Unë nuk jam përgjegjës për këtë dhe nuk mund të hyj në të sepse do të spekuloja. Unë i kam pyetur dhe e di përgjigjen. Por mendoj se nuk jam kompetent për t'iu përgjigjur kësaj. Përgjegjësia ime është që t'u shërbej qytetarëve që janë jashtë dhe MPJështë riorganizuar plotësisht. Ne do t'i ndihmojmë që të vazhdojnë sipas kapaciteteve të PDK-ve të kërkojmë termine për ndryshimin e tyre, por askush nuk do të lihet, i bllokuar për shkak të këtyre afateve", tha Osmani.

Sa i përket përgjegjësisë eventuale, thotë se tani duhet të koncentrohemi që tu dilet në ndihmë qytetarëve, dhe pastaj të bëhen analiza. 

"Megjithatë, ato çështje janë në MPB. Unë nuk jam këtu që të vlerësoj gjërat, por që t'i zgjidh problemet me të cilat përballen qytetarët të cilët kanë kërkesa, të cilat varen nga Ministria ime. Dhe mendoj se është më korekte të flasim për këtë", tha Osmani. 

Lidhur me atë se letërnjoftimet do të jenë të vlefshme në shtet edhe pas 12 shkurtit, ndërsa me ato mund të udhëtohet në shtetet fqinje, Osmani thotë se shtetet kanë marrë njoftim se pasapartotet nuk vlejnë pas 12 shkurtit, përderisa letrënjoftimet do të jenë të vlefshme pas atij afati, dhe u mbetet shteteve si do të veprojnë për këtë çështje. 

Për mundësinë të cilën ai paraprakisht e paralajmëroi për kthimin e parave për dokumente personale, thotë se për këtë do të informojë kryeministri teknik Talat Xhaferi të martën, përderisa grupi i punës tashmë punon në këtë drejtim dhe për të gjitha vendimet të cilat do të merren do të informojë kryeministri. 

Osmani shtoi se Marrëveshjen e Prespës vendi gati e ka përmbushur në tërësi përveç disa institucioneve ku vendimet nuk merren nga Qeveria siç janë federatat, ASHAM...

"Greqia i përmbushi detyrimet e saj në pjesën thelbësore, por për të njëjtat arsye, për shkak të vendimeve të institucioneve që nuk janë drejtpërdrejt nën Qeverinë, nuk janë ratifikuar tri marrëveshje, si dhe shenjat e komunikacionit. Në komunikimin politik me Greqinë, të dyja palët kanë theksuar se marrëveshja është respektuar", tha Osmani, duke theksuar se ekziston vullnet i qartë politik si nga Maqedonia e Veriut ashtu edhe nga Greqia për të vazhduar me zbatimin e plotë të marrëveshjes së Prespës. fc/

QËNDRONI TË LIDHUR