• e shtunë, 21 dhjetor 2024

Osmani: Pasi e dëgjova propozimin e Mickoskit menjëherë iu paraqita Ahmetit, ai e di sa e rëndësishme është për ne BE-ja

Osmani: Pasi e dëgjova propozimin e Mickoskit menjëherë iu paraqita Ahmetit, ai e di sa e rëndësishme është për ne BE-ja

Shkup, 6 korrik 2023 (MIA) - Pasi e dëgjova propozimin e liderit të VMRO-DPMNE-së, Hristian Mickoski, i cili kërkoi që BDI-ja të dalë nga Qeveria pas çka do t'i mbështesnin ndryshimet kushtetuese, menjëherë iu paraqita Ali Ahmetit. Ahmeti nuk priti asnjë sekond që të thotë po, sepse për të është shumë e rëndësishme çështja e Bashkimit Evropian, theksoi ministri i Punëve të Jashtme, Bujar Osmani. 

Osmani sonte në një emision në televizionin Kanal 5, ku ishte mysafir, theksoi se Ahmeti e ka ditur si politikan me përvojë se sa është i rëndësishëm Bashkimi Evropian për shtetin tonë. Sipas Osmanit, Ahmeti këtë e pa si mundësi të re për ndryshime kushtetuese dhe aspak nuk e kalkluloi çmimin e BDI-së në atë pjesë. 

Osmani potencoi se BDI-ja ishte truri i shoqërisë në periudhat më të vështira në shtet. 

"BDI-ja gjithë këto 20 vite ishte pjesë e zgjidhjes. BDI-ja ishte në një farë mënyre lundruesja e kursit proatlantik të shtetit, stabilizuesja e shtetit, truri i shoqërisë. Por, në kohën e fundit shohim propagandë që i drejtohet BDI-së, që mendoj se në një farë mënyre është pasqyrë e antishqiptarizmit në përgjithësi. Merreni analizën e kujtdo në lidhje me rolin e BDI-së në 20 vitet e fundit në këtë vend, nuk mund të nxirrni një përfundim tjetër, përveç se ka qenë truri i shoqërisë në periudhat më të vështira dhe të krizës", tha Osmani.

Siç shtoi, BDI-ja nuk është në Qeveri sepse është imponuar në Qeveri, por sepse ka fituar në zgjedhje. 

"Kjo është një gjeneratë e re e njerëzve që dinë të punojnë dhe të japin përshtypjen se BDI-ja është kudo, se BDI-ja dominon, ndërsa ne kemi aq numra sa kishim në Qeverinë e VMRO-DPMNE-së, aq kemi edhe në këtë Qeveri. Çështja e pushtetit të madh të BDI-së është vetëm çështje e përshtypjes. BDI-ja është parti politike konstruktive", tha Osmani.

I pyetur sa Grupi i Zjarrit mund t'i bëjë dëm partisë, Osmani u përgjigj se kjo është çështje e mbyllur". 

"Kjo është një çështje e përfunduar. BDI-ja ka pasur një proces të riregjistrimit të anëtarësisë, kemi regjistrim masiv, regjistrim të anëtarësisë edhe në Çair. Ata që janë regjistruar janë anëtarë të BDI-së, ata që nuk janë regjistruar mund të flasin për BDI-në prej anash, prej jashtë", shtoi Osmani. 

Ai potencoi edhe se e ka lexuar intervistën e Lupço Georgievskit, në të cilën ai thotë se "shteti do të ishte shumë më i mirë po të mos ishin shqiptarët". 

"E lexova intervistën e Lupço Gorgievskit në të cilën thuhet se 'vendi do të ishte shumë më i mirë po të mos ishin shqiptarët'. Ai është nga ata që flet hapur për atë që thonë të tjerët. Përpjekja për të lidhur edhe shiun me BDI-në është në fakt nevoja e ndjenjës që po e thotë sot Lupço Gorgievski në intervistë, por është e papëlqyeshme të thuhet, kështu që riformulohet në një fushatë kundër BDI-së", thotë Osmani. fc/

Fotografia: Printskrin

 

 

 

QËNDRONI TË LIDHUR