• e hënë, 23 dhjetor 2024

Osmani përmes një video shpjegon esencën e kornizës negociuese për negociata me BE-në

Osmani përmes një video shpjegon esencën e kornizës negociuese për negociata me BE-në

Shkup, 5 gusht 2023 (MIA) - Ministri i Punëve të Jashtme Bujar Osmani në profilin e tij në Fejsbuk ka publikuar një video me një shpjegim të shkurtër, siç thekson, mbi esencën e kornizës negociuese për negociatat me BE-në, si përgjigje e spekulimeve të shumta lidhur me përmbajtjen e saj.

"Fillimisht, Korniza negociuese ndahet në dy pjesë - një pjesë e përgjithshme dhe një pjesë e veçantë.
Pjesa e përgjithshme i përmban të ashtuquajturat dispozita të përgjithshme të Kornizës negociuese për të cilat nuk bëhet raport me shkrim nga Komisioni Evropian dhe as nuk kërkohet votim nga Këshilli Evropian, d.m.th. nga shtetet anëtare të Unionit.
Në pjesën e posaçme janë 35 kapituj, për të cilët ka standarde që duhet të plotësohen dhe për të cilët Komisioni Evropian përgatit raport dhe shtetet anëtare e miratojnë me votim. Këto dispozita janë të përfshira në tre udhërrëfyesit që do t'i përgatisim pas skriningut, të cilat do të miratohen nga Bashkimi Evropian. Këto janë: Udhërrëfyesi për sundimin e ligjit, Udhërrëfyesi për administratën publike dhe Udhërrëfyesi për institucionet demokratike. Në njërin prej këtyre udhërrëfyesve, Udhërrëfyesin për sundimin e ligjit, ekziston plan aksionar për pakicat, për të gjitha pakicat, etnike apo joetnike", ka thënë Osmani.

Ajo që është më e rëndësishme është se në asnjërin nga këto dispozita, udhërrëfyes apo pika të pjesës së posaçme të Kornizës negociuese nuk ka ndonjë referencë apo lidhje me Marrëveshjen për miqësi me Bullgarinë, asnjë referencë për çështjen e punës së Komisionit të historisë e as rishikime të Nenit 12 nga e njëjta marrëveshje.

"Përkundrazi – edhe Marrëveshja e miqësisë ashtu edhe rishikimet nga Neni 12 i Marrëveshjes ashtu si edhe Marrëveshja me Greqinë janë të shënuara në pjesën e përgjithshme të Kornizës, pjesa për të cilën nuk hartohet ndonjë raport nga Komisioni Evropian dhe as që i nënshtrohet votimit ose miratimit nga Këshilli i BE-së, përkatësisht nga shtetet anëtare të Unionit. Kjo nuk do të thotë se ne nuk do të punojmë për zbatimin e tyre, sigurisht që e kemi marrë përsipër këtë detyrim, do ta bëjmë me vullnet të mirë, por nuk janë standarde për të cilat do të hartohet raport ose të votohet, prandaj ato nuk mund të jenë bazë për një pengesë të re në rrugë", thotë në shpjegimin e tij Osmani.

Foto: Printskrin

 

QËNDRONI TË LIDHUR