• e hënë, 23 dhjetor 2024

OBSH alarmoi për mungesën serioze të personelit medicinal në sistemin shëndetësor global

OBSH alarmoi për mungesën serioze të personelit medicinal në sistemin shëndetësor global

Gjenevë, 7 prill 2023 (MIA) - Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH), me rastin e 75-vjetorit, alarmoi për mungesë të rritur të personelit në sistemin shëndetësor global, informoi DPA, duke e cituar deklaratën në Gjenevë të drejtorit të përgjithshëm të OBSH-së, Tedros Adanom Gebrejesus. 

"Deri në vitin 2030 bota do të ketë mungesë të rreth 10 milionë specialistëve. Derisa bota po rimëkëmbet nga pandemia e Kovid-19, ju bëjmë thirrje të gjitha vendeve që ta mbrojnë dhe investojnë në fuqinë e tyre të punës", deklaroi Tedros.

Ai shtoi se "nuk ka shëndet pa punëtorë shëndetësorë". 

Që nga fillimi i pandemisë, rreth 50 për qind e personelit është larguar nga ky sektor. "Madje edhe para se të ndodhte kjo, shumë persona duhej të punonin për paga shumë të vogla dhe në kushte të rrezikshme", tha Tedros Gebrejesus. 

Sipas tij, edhe pse gratë përbëjnë gati 77 për qind të punëtorëve shëndetësorë, ato janë më pak se një e katërta e menaxherëve dhe shpesh janë të ekspozuara në dhunë në vendin e punës.

Organizata Botërore e Shëndetësisë është themeluar më 7 prill të vitit 1948, kur hyri në fuqi Kushtetuta e OBSH-së. Që atëherë, sipas Tedros Gebrejesus, jetëgjatësia e pritur në mbarë botën u rrit dukshëm, ndërsa vdekshmëria e nënave dhe fëmijëve u ul dukshëm gjatë dekadave të fundit. Suksese të mëdha janë shënuar edhe në luftën kundër malaries, tuberkulozit dhe personave pozitivë në HIV.

Megjithatë, ka rritje dramatike të diabetit dhe peshës së tepërt. Drejtori i përgjithshëm i OBSH-së, gjithashtu theksoi se afro 2 miliardë njerëz në mbarë botën përballen me vështirësi financiare sepse duhet t'i paguajnë vetë shpenzimet medicinale. fc/

Fotografia: Arkivi i MIA-s

 

 

QËNDRONI TË LIDHUR