• e shtunë, 06 korrik 2024

Norvegjia do të ndajë mbi 20 milionë euro për të forcuar sigurinë bërthamore të Ukrainës

Norvegjia do të ndajë mbi 20 milionë euro për të forcuar sigurinë bërthamore të Ukrainës

Oslo, 20 qershor 2023 (MIA) - Norvegjia dje kumtoi se do të ndajë 250 milionë kruna norvegjeze (afër 21,5 milionë euro) për përforcimin e sigurisë bërthamore të Ukrainës për shkak të brengës për situatën në centralin bërthamor Zaporozhje pas shkatërrimit të digës Kahovka, raportuan mediat franceze.

"Lufta ilegale që e filloi Rusia paraqet kërcënim për sigurinë bërthamore dhe të Ukrainës", citohet në kumtesën e Ministrisë norvegjeze për Punë të Jashtme.

"Një aksident bërthamor në Ukrainë mund të ketë pasoja jo vetëm për Ukrainën, por edhe jashtë kufijve të saj", shtoi Ministria norvegjeze.

Ndihma do të ndahet përmes pagesës prej 100 milionë kruna norvegjeze për Agjencinë Ndërkombëtare për Energji Bërthamore (ANEB)  për t'u mundësuar ekspertëve të saj të mbajnë një prani në disa lokacione bërthamore në Ukrainë, duke i përfshirë centralet bërthamore Çernobil dhe Zaporozhje dhe një pako prej 150 milionë kruna norvegjeze për përforcimin e sigurisë së objekteve.

Mjetet do të merren nga Programi Nansen, një plan shumëvjeçar për ndihmë sipas të cilit Norvegjia siguron ndihmë civile dhe ushtarake në vlerë prej 75 miliardë kruna norvegjeze për Ukrainën gjatë periudhës 2023-2027. sa/

QËNDRONI TË LIDHUR