• e mërkurë, 27 nëntor 2024

Njëzet e tre vjet nga nënshkrimi i Marrëveshjes Kornizë të Ohrit - këtë vit me dy shënime paralele

Njëzet e tre vjet nga nënshkrimi i Marrëveshjes Kornizë të Ohrit - këtë vit me dy shënime paralele

Shkup, 13 gusht 2024 (MIA) –  Me ngjarje të veçanta të Qeverisë dhe opozitës shqiptare sot do të shënohen 23 vjet që nga nënshkrimi i Marrëveshjes Kornizë të Ohrit, e cila i dha fund konfliktit disa mujor në vend në vitin 2001.

Qeveria do të shënojë përvjetorin e Marrëveshjes Kornizë me seancë solemne në orën 13:00, në të cilën, siç është paralajmëruar, do të flasin kryeministri Hristijan Mickoski dhe zëvendëskryeministri i parë dhe ministër i Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor Izet Mexhiti. Ngjarja do të transmetohet drejtpërdrejt në Fejsbuk dhe jutjub-kanalin e Qeverisë.

Paraprakisht, në orën 10, në Klubin e deputetëve në Shkup, në organizim të Ministrisë së Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor, do të mbahet panel diskutim në temën “23 vjet nga Marrëveshja Kornizë, decentralizimi mbetet sfidë”, ku përveç zëvendëskryeministrit Mexhiti, si panelistë janë paralajmëruar edhe ministri i Vetëqeverisjes Lokale Zllatko Perinski dhe profesorët Rizvan Sulejmani, Nano Ruzhin, Afrim Osmani dhe Bujamin Bela.

Mexhiti sonte do të organizojë edhe pritje solemne në Muzeun e artit bashkëkohor në Shkup.

Nga ana tjetër, kremtim të veçantë do të organizojë Fronti Evropian, i kryesuar nga BDI-ja. Ata do të shënojnë 23 vjetorin e Marrëveshjes Kornizë të Ohrit me një ngjarje të titulluar "Akademia për legjitimitet" që do të mbahet në mesditë në hotelin Aleksandar Pallas në Shkup. 

Për ta është ofenduese që Ivan Stoillkoviq është zëvendëskryeministër dhe ministër përgjegjës për Marrëveshjen e Ohrit, megjithëse ai vetë as nuk e njeh dhe as nuk e respekton atë. Ata gjithashtu reaguan se ishte zvogëluar buxheti për Marrëveshjen e Ohrit.

"Bashkimi Demokratik për Integrim nuk mund të qëndrojë duarkryq kur shqiptarët dhe të tjerët poshtërohen çdo ditë dhe kur anulohet çdo arritje në drejtim të barazisë. Prandaj, e angazhuam autorin e Marrëveshjes së Ohrit Poll Uiliams dhe ekipin e tij në PILPG për të përpiluar platformë juridike për legjitimitet, me ç'rast drafti i parë tashmë është parashtruar dhe do të shqyrtohet në kuadër të Frontit evropian, e më pas edhe publikisht me botën akademike, organizatat joqeveritare, mediat, qytetarët", bëhet e ditur në reagimin nga BDI-ja.

Kremtimi i paralajmëruar paralel nga BDI provokoi reagime te VLEN-i, koalicioni në pushtet nga radhët e shqiptarëve. Ministri i Shëndetësisë Arben Taravari e përshkroi hapin e BDI si "festë dhe aheng privat". 

Новиот в.д претседател на Алијанса за Албанците Арбен Таравари денеска по Централното собрание на партијата изјави дека е донесена одлука на 17 декември оваа година да се одржи вонреден конгр

"BDI-ja në njëfarë mënyre gjithmonë pretendon të privatizojë ngjarje të caktuara. Ata ende nuk mund të pranojnë se janë opozitë, por kanë nevojë për kohë dhe do të mësohen me të. Do të pranojnë, festa , ahengje private mund të organizohen secili. Ne i kemi ftuar në ngjarjen e nesërme të organizuar nga Qeveria e Republikës së Maqedonisë, ata janë të mirëseardhur, ndërsa ahengje private le të vazhdojnë të organizojnë", tha dje Taravari.

Ai theksoi se ngjarjet historike nuk kanë qenë asnjëherë përkatësi private e askujt, ato gjithmonë do të jenë ngjarje që u përkasin qytetarëve që jetojnë këtu.

Edhe deputetja Saranda Imeri e koalicionit VLEN të premten i bëri thirrje kreut të BDI-së Ali Ahmeti, të marrë pjesë në përkujtimin shtetëror të përvjetorit të nënshkrimit të Marrëveshjes së Ohrit nga viti 2001.

Ajo theksoi se arsyeja e drejtimit të saj është përpjekja, siç u shpreh ajo, “për të privatizuar një datë të ndritshme në historinë shqiptare”.

"23 vjet më parë, është shkruar një kapitull i ri në historinë e Maqedonisë kur u nënshkrua Marrëveshja e Ohrit. Për mua si e bija e Imer Imerit, një prej nënshkruesve të kësaj marrëveshjeje historike, kjo përfaqëson shumë më tepër se një dokument politik. Është trashëgimia e një brezi që luftoi për një të ardhme më të mirë dhe shoqëri të përbashkët. Ndjej indinjatë kur shoh se si një datë që duhet të na bashkojë përdoret për interesa të ngushta partiake", tha Saranda Imeri.

Marrëveshja Kornizë e Ohrit u nënshkrua më 13 gusht të vitit 2001 në rezidencën presidenciale në Vodnos në Shkup nga Presidenti i atëhershëm i shtetit Boris Trajkovski, kryeministri i atëhershëm dhe lider i VMRO-DPMNE-së, Lubço Georgievski, si dhe krerët e atëhershëm të LSDM-së, Branko Cërvenkovski, PPD-së, Imer Imeri dhe PDSH-së, Arbën Xhaferi. Marrëveshja u nënshkrua edhe nga përfaqësuesit e posaçëm të BE-së dhe SHBA-së, Fransoa Leotar dhe Xhejms Perdju. Në bisedimet që filluan në korrik në Shkup, e më pas vazhduan në Ohër, u konsultuan disa këshilltarë dhe ekspertë.

Më shumë se 130 ligje, ndryshime dhe plotësime ligjore janë miratuar në vitet e kaluara që nga implementimi i Marrëveshjes Kornizë të Ohrit, shumica e të cilave – 59 janë ligje për mosdiskriminim dhe përfaqësim të barabartë, 40 janë në fushën e identitetit, kulturës, arsimit dhe decentralizimit të pushtetit.

Për zbatimin e suksesshëm të Marrëveshjes, u formua Sekretariati për zbatimin e Marrëveshjes Kornizë të Ohrit, i cili në vitin 2019 u transformua në Ministrinë e Sistemit Politik dhe Marrëdhënieve Ndërmjet Bashkësive.

Në parimet themelore të dokumentit thuhet se “refuzohet plotësisht dhe pa kushte përdorimi i dhunës për realizimin e qëllimeve politike”. "Vetëm zgjidhjet paqësore politike mund të garantojnë të ardhmen e qëndrueshme dhe demokratike të Maqedonisë. Sovraniteti dhe integriteti territorial i Maqedonisë, si dhe karakteri unitar i shtetit janë të paprekshëm dhe duhet të ruhen. Nuk ka zgjidhje territoriale për çështjet etnike. Karakteri multietnik i shoqërisë maqedonase duhet të ruhet dhe të gjejë reflektimin e tij në jetën publike. Një shtet bashkëkohor demokratik, në rrjedhën e natyrshme të zhvillimit dhe maturimit të tij, duhet të sigurojë vazhdimisht që Kushtetuta e tij të plotësojë plotësisht nevojat e të gjithë qytetarëve të saj në përputhje me standardet më të larta ndërkombëtare, të cilat edhe vetë po evoluojnë vazhdimisht. Zhvillimi i vetëqeverisjes lokale është thelbësor për të inkurajuar pjesëmarrjen e qytetarëve në jetën demokratike dhe për të promovuar respektimin e identitetit të bashkësive, shtohet në dokumentin. Më pas vijojnë pika që kanë të bëjnë me ndërprerjen e armiqësive, zhvillimin e pushtetit të decentralizuar, mosdiskriminimin dhe përfaqësimin e barabartë, procedurat e veçanta parlamentare, arsimin dhe përdorimin e gjuhëve, shprehjen e identitetit dhe implementimin.

Marrëveshja përmban edhe tre anekse: A. Amendamente kushtetuese; B. Ndryshimet në legjislacion dhe C. Implementim i masave për ndërtimin e besimit, si dhe dispozitat përfundimtare.

foto: arkivi i MIA-s

 

QËNDRONI TË LIDHUR