Nga 15 nëntori posedim i detyrueshëm i pajisjes dimërore
- - Nga 15 nëntori automjetet të cilat marrin pjesë në komunikacionin publik në rrugë janë të detyruar të posedojnë pajisje dimërore të përcaktuara me ligj.
- Post By Fitore Curri
- 09:37, 12 nëntor, 2025
Shkup, 12 nëntor 2025 (MIA) - Nga 15 nëntori automjetet të cilat marrin pjesë në komunikacionin publik në rrugë janë të detyruar të posedojnë pajisje dimërore të përcaktuara me ligj.
Siç informon Ministria e Punëve të Brendshme, posedimi i detyrueshëm i pajisjes dimërore është sipas dispozitave nga Ligji për Siguri në Komunikacionin Rrugor dhe Ligjin për ndryshimin e Ligjit për Siguri në Komunikacionin Rrugor.
Sipas dispozitave të Rregullores për pajisjen e detyrueshme të automjeteve për pjesëmarrje të sigurt në trafik si pajisja dimërore për automjete motorike me peshë deri në 3.500 kilogramë janë: goma dimërore në të katër rrotat me thellësi minimale të shiritit katër milimetra në gjithë sipërfaqen, goma verore në të katër rrotat me thellësi minimale katër milimetra, nëse automjeti ka me vete zinxhirë bore të përshtatshëm për rrotat lëvizëse ose pajisje të tjera ndihmëse.
"Për automjete me lëvizje në të katër rrotat (4x4): goma dimërore në të katër rrotat me thellësi minimale gjashtë milimetra,
goma verore në të katër rrotat me thellësi minimale katër milimetra, nëse automjeti posedon zinxhirë bore. Në rast të lëvizjes së përhershme, zinxhirët duhet të vendosen të paktën në boshtin e pasëm, ndërsa në rast të lëvizjes së përfshirë me sistem të ndryshueshëm, zinxhirët duhet të vendosen në boshtin që është gjithmonë aktiv", bëhet e ditur në kumtesë.
Për automjete mbi 3.500 kilogramë nevojiten: goma dimërore në rrotat lëvizëse me thellësi minimale të shiritit gjashtë milimetra,
goma verore në të gjitha rrotat me thellësi minimale katër milimetra, nëse automjeti ka me vete zinxhirë bore të përshtatshëm për rrotat lëvizëse ose pajisje të tjera ndihmëse.
Autobusët dhe automjetet e rënda që për arsye teknike nuk mund të vendosin zinxhirë bore në rrotat lëvizëse duhet të kenë goma dimërore në rrota dhe të kenë me vete një lopatë si mjet ndihmës.
Gomat dimërore janë ato që kanë në anën anësore shenjën “MS”, “M+S”, “M & S” dhe simbolin e një bore brenda një mali të stilizuar me tre maja.
Sipas Rregullores për pajisjen e detyrueshme të automjeteve, përdorimi i gomave me gozhda është i ndaluar.
"U bëjmë thirrje shoferëve të respektojnë detyrimin ligjor për posedimin e pajisjeve dimërore, pasi kjo garanton zhvillim të sigurt dhe pa pengesa të trafikut në kushte dimërore", qëndron në kumtesën e MPB-së. fc/
Foto: Arkivi i MIA-s